Agroturizëm Gjepali

Ofrohet shërbim
Restorant dhe bujqësi

Vendodhja
Shko te harta

Afër
Qytetit të Durrësit, plazhit të Durrësit dhe Golemit, Tiranës

Transporti

Nuk ka transport publik; me makinë private udhëtimi zgjat rreth 40 minuta nga Tirana, ose 20 minuta nga Durrësi. Me tabela të qarta nga Shijaku dhe Preza; segmenti i fundit nga rruga kryesore, nga kthesa me tabelën “Gjepale 2” është një rrugë e pashtruar e mirëmbajtur e përshtatshme për të gjitha automjetet. Nëse përdorni Google Maps për të lundruar, mos merrni rrugën përmes fshatit Rreth pasi nuk ka rrugë lidhëse matanë lumit!

Akomodimi

8 dhoma dyshe duke filluar nga 30 euro nata

Çfarë mund të bësh

Vizita në fermë, ecje përgjatë lumit

Merr me vete

Çdo gjë nga dyqani dhe dhurata me produkte tipike nga mbarë Shqipëria (do të hapet së shpejti)

Informacion

Historia e Agroturizëm Gjepali nis, në kuptimin më të gjerë, 23 vjet më parë, kur Fundim Gjepali, atëherë vetëm 14 vjeç, la fshatin e tij dhe emigroi në Itali në kërkim të një jete më të mirë. Fillimisht ai filloi punë në një restorant në fund të “zinxhirit ushqimor”, por me kalimin e viteve punoi për tu bërë një kuzhinier i suksesshëm dhe i njohur. Përveçse drejton një kuzhinë në një nga restorantet më të njohura të Romës, ai ka hapur dhe është bashkëpronar edhe i një restoranti tjetër në qendër të Tiranës.

Sidoqoftë, Fundimi dëshironte të krijonte diçka me të vërtetë për veten e tij, ndërsa rilidhej me rrënjët e veta, në vendin ku u rrit, i cili e ushqeu atë dhe dashurinë e tij për ushqimin.

Fshati Gjepalaj shtrihet në jug të Shijakut, një qytet i vogël afër Durrësit, i karakterizuar nga blloqet e zakonshme të apartamenteve me tulla të kohës se komunizmit, të përziera me shtëpi tradicionale të vogla familjare. Ndërsa pjesa tjetër e fshatit Gjepalaj shtrihet në majë të një kodre të vogël, restoranti i fermës Gjepali ndodhet në lindje të fshatit, në një lak lumi të rrethuar nga natyra, pa shtëpi të tjera në afërsi të tij. Ndikimi italian në jetën e pronarit manifestohet në arkitekturën e restorantit dhe bujtinës së sapondërtuar, e cila është krijuar në stilin e një vile tipike toskane. Numri i klientëve dhe i vizitorëve që qëndrojnë për një natë në Agroturizëm Gjepali që prej hapjes së tij në prill të vitit 2019 është befasues, dhe është dëshmi e reputacionit të pronarit.

Megjithatë, vendndodhja dhe filozofia e këtij restoranti ndryshojnë nga projektet e mëparshme të Fundimit. Në vend të haute cuisine të ofruar në restorantin e tij të qytetit, vëmendja këtu në fshat përqendrohet te pjatat tradicionale dhe përbërësit lokalë. Për të siguruar cilësinë më të lartë, Fundimi u është drejtuar fshatrave afër, duke kataloguar në mënyrë të përpiktë prodhimet, mishin dhe qumështin e shitur nga prodhuesit vendas në treg, dhe duke zgjedhur furnizuesit më të mirë për kuzhinën e tij. Kjo qasje e bashkëpunimit të ngushtë me fermerët e zonës siguron që gjithçka që ofrohet në pjatën tuaj të ketë udhëtuar më pak se 10 km.

Tani për tani, restoranti ofron një menu fikse, duke përfshirë specialitete vendase, të tilla si byreku me qumësht, një pastë e këndshme e përgatitur me qumësht, qofte shtëpie, brinjë viçi të gatuara në furrë me ngadalë, djathë të freskët shtëpie i ngjashëm me djathin e bardhë, qengj të pjekur në kos, dhe një ëmbëlsirë në formë torte e quajtur revani e bërë me lëng kumbulle, e shoqëruar me sallata të freskëta jeshile dhe ullinj lokalë. Recetat janë rafinuar nga vetë Fundim Gjepali, dhe përgatiten nga stafi i tij i kuzhinës, të cilin ai e ka trajnuar me muaj të tërë për të shërbyer deri në 170 klientë. Një përzgjedhje verërash kryesisht shqiptare, si dhe disa verëra të zgjedhura italiane janë të ekspozuara në një mur të dedikuar të restorantit dhe mund të shoqërojnë ushqimin tuaj.

Përveç Fundimit, i cili ende banon në Itali me të shoqen, Elidën, dhe dy vajzat e tyre, shumicën e kohës, anëtarët e tjerë të familjes janë të përfshirë në administrimin e fermës, restorantit dhe bujtinës. Ndërsa Reti, mbesa e Fundimit, administron restorantin dhe hotelin, Agimi, babai i Retit dhe kunati i Fundimit, mbikëqyr punët në bujqësi. Edhe pse ferma funksionon prej një kohe shumë të shkurtër, funksionon që nga fillimi i vitit 2019 dhe prodhon relativisht pak, e furnizon restorantin me domate, marule, lakra, speca, patëllxhanë dhe shalqinj. Për më tepër, prapa shtëpisë familja ka mbjellë pemë frutore, përfshirë fiq dhe shegë, ndërkohë që pritet që në të ardhmen të krijohet një larmi më e madhe. Ashtu si kuzhina dhe kamerierët, 10 punëtorët e fermës vijnë nga fshatrat përreth, çka ndikon në uljen e papunësisë në zonë.

Të gjithë individët e përfshirë në biznes kanë përshkruar një rrugëtim të gjatë deri kur u hap bujtina, në prill të vitit 2019. Infrastruktura e nevojshme ishte një sfidë e vërtetë. Gjatë sundimit komunist, copëza e tokës përdorej si një plantacion hurme, kështu që përpara se të niste ndërtimi ishte e nevojshme të hapej rruga dhe të sillej uji. Në planin njerëzor, ishte e nevojshme diplomacia me pronarët e pronave fqinje, të cilët fillimisht ishin skeptikë për sipërmarrjen e re.

Me ndihmën e një arkitekti vendas mori trajtë shtëpia e frymëzuar nga Toskana, në të cilën restoranti dhe kuzhina gjenden në katin përdhe, ndërsa kati i parë përbëhet nga tetë dhoma, një sallë pritjeje e përbashkët dhe një verandë. Teksa hyn brenda përmes një porte të bukur prej druri, shkallët që të çojnë deri në dhomat e vizitorëve, ashtu si pjesa e jashtme, përmbajnë shumë bimë. Hoteli është dekoruar me shije me një përzierje të elementeve modernë dhe klasikë, duke përdorur materiale të tilla si pllaka terrakote, guri dhe druri. Korridoret dhe dhomat përmbajnë vepra origjinale arti nga piktorë të talentuar shqiptarë.

Pavarësisht punës së bërë nga anëtarët e familjes Gjepali në një periudhë relativisht të shkurtër kohe deri tani, ka ende shumë punë për tu bërë nga familja dhe ndihmësit e tyre, dhe Fundimi dhe Elida janë plot me ide lidhur me sektorin e biznesit që do të donin të zhvillonin më tej.

Duke filluar nga aksesi i përmirësuar i rrugës, me parkimin në anë të rrugës, transformimi i ambienteve rrethuese do të përfshijë një kënd lojrash në vend të sheshit të parkimit aktual të improvizuar, si dhe një kopsht me erëza. Për më tepër, për tu kujdesur për interesat e vizitorëve të vegjël, familja po planifikon të mbajë disa kafshë më të vogla, si lepuj dhe pula, në pjesën e prapme të fermës. Përfundimisht, fusha prej afro dy hektarësh përpara restorantit do të përdoret tërësisht për të mbjellë perime, dhe do të përfshijë serra, koshere bletësh, dhe disa hardhi rrushi në pjesën e prapme të ngastrës. Planifikohen vizita edukative për vizitorët për të eksploruar parcelat me perime, me disa “ishuj” të gjelbër në të cilët ata mund të ulen dhe të pushojnë. Ide ka mjaft, dhe familja shpreson t’i zbatojë ato deri në vitin 2020.

Me përvojën e tij si një kuzhinier dhe me dashurinë për ushqimin, Fundimi po planifikon t’i ftojë vizitorët edhe në laboratorin e tij të ushqimit, ku ata mund të mësojnë dhe të marrin pjesë në procesin e pjekjes së bukës, bërjes së djathit dhe reçelrave të ndryshëm. Dhe me vizionin e tij për të ftuar fëmijët e shkollave për ekskursione në fermë, ai po hedh themelet për vlerësimin e tokës dhe ushqimit nga brezi i ardhshëm. Dhe mbase, ndoshta mbase, të frymëzojë edhe Master Chef-in tjetër të Shqipërisë.

Read More