Bujtina Dini

Ofrohet shërbim
Restorant dhe bujtinë

Vendodhja
Shko te harta

Afër
Rubikut

Transporti

Nuk ka transport publik; mund të shkoni me makinë private, ndiqni autostradën kombëtare A1 nga Tirana/Shkodra në drejtim të Kukësit/Kosovës, deri në kthesën për në qendër të Rubikut. Para se të arrini në Rubik, kthehuni majtas duke lënë pas urën, pastaj kthehuni djathtas drejt Katundit të Vjetër; Nuk ka tabelë për Bujtinën Dini aty, por ndiqni rrugën kryesore, matanë shkollës dhe klinikës së vogël, dhe do të shihni një tabelë pas disa metrash në të djathtë.

Akomodimi

6 dhoma, nga 30 euro nata

Çfarë mund të bësh

Udhëtim me këmbë – informacioni mbi hartat rajonale gjendet te InfoKulla përgjatë autostradës afër Rubikut, ose në internet në adresën https://hikingmirdita.com/trails-maps/ – shih “Rubik_Map”.

Informacion

Bujtina e Kol Markut dhe familjes së tij ndodhet rreth 5 kilometra larg Rubikut, në rrethin e Mirditës, e pozicionuar në një luginë të vogël që karakterizohet nga gjelbërimi i harlisur dhe qetësia. Pavarësisht se është vetëm disa kilometra larg autostradës kryesore që lidh Tiranën me Kosovën, ambienti është shumë rural.

Teksa ecën përgjatë rrugës së shkurtër të asfaltit që të çon në fshatin Katund i Vjetër, kur lë pas muret prej guri dhe përgjatë një përroi, të bie në sy një numër i madh makinash, pavarësisht se rruga nuk të lidh me ndonjë qytet më të madh. Sidoqoftë, peizazhi piktoresk dhe ajri i pastër kanë çuar në rritjen e restoranteve buzë rrugës në zonë, të cilat tërheqin shumë klientë të rregullt nga qytezat dhe qytetet aty pranë.

Katund i Vjetër është pjesë e projektit të qeverisë “100 fshatra”, i cili synon të ringjallë fshatrat dhe zonat rurale dhe të krijojë perspektiva të reja për ata që nuk i kanë lënë ende fshatrat, ose që janë kthyer. Dhe Bujtina Dini, e drejtuar nga Kola dhe familja e tij, po kontribuon në suksesin e këtij projekti të qeverisë. Kola është me origjinë nga fshati, dhe është rritur në një shtëpi të vjetër prej guri ku sot është bujtina. Para viteve 1990, ai punonte si minator, më vonë në një fabrikë, dhe më pas provoi fatin duke shkuar jashtë shtetit për të punuar. Ai u kthye pas katër vjet e gjysmë nga Kreta e Greqisë, për të gjetur një punë tjetër që merrej me ndërtimin e rrugëve.

Ai kishte gjashtë vjet që planifikonte të hapte një restorant dhe një shtëpizë verimi, dhe kur bizneset e tjera që u hapën përgjatë rrugës filluan të tërheqin një numër në rritje klientësh, ai vendosi të ndiqte ëndrrën e tij. Ai ripërdori gurët nga shtëpia e vjetër e të parëve të tij për shtëpizën e re, si dhe për shtëpinë ngjitur të ndërtuar së fundmi për veten dhe familjen e tij. Ndërsa punimet vazhdonin, u bë e qartë se kostoja e kishte tejkaluar parashikimim fillestar dhe, për këtë arsye përfundoi vetëm restorantin në katin e parë, ndërsa pjesa tjetër e projektit ngeli e papërfunduar për disa vite. Përfundimisht, me një grant nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, u bë i mundur përfundimi i dy kateve të tjera me dhoma për vizitorët, të mbuluara në panele druri në pjesën e brendshme dhe të jashtme, në prill të vitit 2019.

Bujtina Dini, e cila ka marrë emrin e familjes, shtrihet në fund të luginës, e rrethuar nga kreshta malesh 700 metra të larta; prapa shtëpisë, pylli ngjitet lart në shpatet e pjerrët. Aty afër, vetëm disa metra prapa shkollës së fshatit dhe qendrës shëndetësore lokale, gjendet një tabelë që u tregon vizitorëve rrugën e pjerrët. Toka që ndodhet para shtëpisë përdoret nga familja për rritjen e domateve, fasuleve, kungujve dhe lajthive, midis produkteve të tjera, dhe ka një stan të vogël për disa dhi dhe një kotec për rreth 50 pula që kullosin rreth fermës.

Përgjatë tërë pronës dhe rreth bujtinës ka më shumë pemë frutore, duke e furnizuar familjen me pjeshkë, thana, mollë, fiq, limonë dhe arra, përveç disa hardhive dhe erëzave. Ato që Kol Marku nuk mund t’i prodhojë vetë, i blen në tregun lokal të Rubikut, qytet i vogël aty pranë, pasi lugina ka vuajtur nga emigrimi masiv. Shumë pak kanë mbetur në fshat për tu marrë me bujqësi ose blegtori. Për të njëjtën arsye, stafi i kamerierëve dhe punëtorët e tjerë vijnë po ashtu nga Rubiku.

Në thelb, Bujtina Dini është biznes familjar. Ndërsa gruaja e Kolës, e quajtur Hale është një nga tre kuzhinierët në kuzhinën e restorantit, djali i tij Arjel, i cili ka mbaruar studimet për biznes në Tiranë, ndihmon me financat dhe kontabilitetin e restorantit, dhe herë pas here punon edhe si kamerier. Ai është i interesuar për kullat e vjetra në zonë, shtëpitë tradicionale të fortifikuara me gurë që shërbenin si vendstrehime, dhe u përfshi në restaurimin e njërës prej tyre në një fshat fqinj.

Restoranti ka tavolina brenda dhe përpara, por tavolinat më të këndshme, veçanërisht në nxehtësinë e mesit të verës në korrik dhe gusht, gjenden në shpatin prapa shtëpisë, të rrethuar me pyje. Menuja përmban mishi keci, byrek dhe sallata, por ka gjithashtu edhe gatime që janë më origjinale, si patatet e mbushura me djathë kaçkavall ose mish të tharë, ose dhallë, një pije freskuese e bërë nga kosi, e përgatitur me qumësht dhie. Mishi dhe qumështi vijnë nga një fshat lart në male në rrugën drejt Kukësit, ndërsa vera e lokalit blihet nga një punishte lokale e verës në Bukëmirë afër Rreshenit. Mënyra më e mirë për të përfunduar një vakt në Bujtinën Dini është një ëmbëlsirë e veçantë, e bërë aty, një lloj torte e bërë me parfe dhe reçel, e vënë si sanduiç mes dy shtresave me biskota. Me ushqimin e tij të freskët dhe të shijshëm, restoranti ka bërë emër të mirë dhe klientët vijnë nga i gjithë rajoni gjatë javës, por dhe nga qytete të tjera si Fieri, Elbasani, Durrësi dhe Tirana, gjatë fundjavës.

Për ata që duan të kalojnë disa ditë në bujtinë, malet dhe pyjet përreth ofrojnë mundësi të mëdha për ekskursion, ndërkohë që informacionet mbi numrin e madh të shtigjeve në rajon mund të merren në pikën e informacionit turistik InfoKulla ngjitur me autostradën afër Rubikut. InfoKulla në vetvete është një destinacion i denjë, pasi në të gjendet një muze i vogël me florën, faunën dhe historinë lokale, si dhe një ekspozitë me objekte etnografike nga rajoni.

Për vizitorët që dëshirojnë të qëndrojnë aty, bujtina ofron gjashtë dhoma të zbukuruara me dru nga brenda dhe banja të thjeshta private. Disa detaje të këndshme, të tilla si perdet e bëra me dorë dhe elementet etnografikë u japin dhomave një prekje personale. Përveç ngrohjes qendrore që i mban dhomat tepër të ngrohta në dimër, familja po planifikon të instalojë kondicionerë në të ardhmen e afërt. Për të përmirësuar më tej përvojën e vizitorëve, ajo po planifikon të ngrejë një tezgë të vogël për të shitur prodhime dhe produkte ushqimore për njerëzit për t’i marrë me vete në shtëpi, dhe do të përpiqet të prodhojë verën e vet.

Ndërsa biznesi po shkon mirë, sipas Kolës, kjo sjell një sërë problemesh të reja. Infrastruktura e fshatit nuk është aspak e përshtatshme për numrin e madh të vizitorëve dhe për shkak të saj krijohen probleme të tilla si ndërprerja e pa paralajmëruar e energjisë elektrike ose luhatjet e tensionit që dëmtojnë pajisjet elektrike. Rruga e vogël mbushet plot lehtësisht gjatë fundjavave me vizitorë ditorë që vijnë e ikin nga lugina, dhe mbulimi i telefonisë celulare mund të jetë ende me shkëputje. Së fundmi, qentë e rrugës vijnë nga Rubiku për shkak të mungesës së infrastrukturës së përpunimit të mbeturinave ushqimore të restoranteve të zonës. Familja shpreson që Bashkia të ndërmarrë masa për të përmirësuar situatën për bujtinat në Katundin e Vjetër sa më shpejt, në mënyrë që turizmi të vazhdojë të rritet dhe të rikthejë jetën në fshat.

Read More