Ofrohet shërbim Punishte bulmeti, bujtinë
Vendodhja Shko te harta
Afër Nivicës-Tepelenë
Transporti
Me makinë udhëtim zgjat rreth 2 orë nga Tepelena, për shkak të rrugës pjesërisht të paasfaltuar (aktualisht në ndërtim e sipër). Gjashtë kilometrat e fundit nga sheshi i fshatit Nivicë deri në bujtinë kalojnë nëpër një rrugë të vështirë dhe megjithëse udhëtimi me makinë të zakonshme është i mundur, ai nuk këshillohet. Familja vë në dispozicion transportin me makinë 4WD nga qendra e Nivicës, për vizitorët që nuk kanë makinë për rrugë malore. Çdo ditë nga Tepelena niset në orën 700 të mëngjesit një fugon publik dhe kthehet nga Nivica në orën 1200.
Akomodimi
Dhoma të rehatshme dhe të ngrohta mbi restorantin, me orendi prej druri dhe ngrohje qendrore për muajt më të ftohtë. Bujtina ka 6 dhoma me kapacitete 3-5 mysafirë secila. Çmimi është 2000 lekë për dhomë teke dhe 4000 lekë për dhomë me 2+ mysafirë. Mëngjesi i përfshirë.
Çfarë mund të bësh
Ecje në këmbë, tur në punishte (vëzhgimi i procesit të prodhimit të djathit)
Merr me vete
Djathë të bardhë të freskët.
Kur të mbërrini në Bujtinën Xhebro, një bujtinë e ndërtuar në shpatin e malit të Këndrevicës, keni të garantuar një aventurë të vërtetë. Në fund të një udhëtimi të gjatë, i cili nis nga qyteti i Tepelenës, ndodhet bujtina, largësia e së cilës kuptohet vetëm kur mbërrini aty. Rruga e përshkuar është gjithë kthesa, 8 kilometra rrugë me zhavorr (aktualisht në ndërtim e sipër). Ajo kalon nëpër fshatrat Bençë, Lekdush, Progonat dhe Gusmar. Rruga për në bujtinë, përshkruan një nga peizazhet më spektakolare të Shqipërisë së Jugut, e karakterizuar nga një seri kanionesh të thella, dramatike dhe shkëmbinj të thepisur.
Kur të mbërrini te qendrat e fshatit Rexhinë dhe Nivicë, dy fshatra që me kalimin e kohës janë afruar me njëri-tjetrin aq shumë, sa banorët i konsiderojnë si një fshat i vetëm, ecni drejt një rruge, përreth 30 minuta, në një luginë anësore që shtrihet përpara. Pas shtëpive të fundit të fshatit, kullotave të gjera, një rezervuari dhe disa shpateve të pyllëzuara, rruga në fund të ofron pamjen e një shtëpie dykatëshe prej guri, ngjitur me një përrua të vogël.
Pas mbërritjes në Bujtinën Xhebro, ajo që të bie në sy së pari, janë objektet ku prodhohen produktet e bulmetit të familjes, ku çdo mëngjes barinjtë nga kullotat verore përreth sjellin qumështin e tyre, disa me makinë, por shumica me kuaj ose mushka. Hyrja në bujtinë për mysafirët gjendet në pjesën e prapme të shtëpisë, ku mirëpriteni në kopshtin e vogël e të ngrohtë të bujtinës nga Arjola, vajza e të zotit të kësaj shtëpie, z. Hader Xhebro, i cili së bashku me vëllanë e tij, Jahon, zhvilluan idenë e krijimit të një “këndi” për të mirëpritur vizitorët. Në vitin 2018 vëllezërit filluan të realizojnë vizionin e tyre me ndihmën e një granti qeveritar, duke zgjeruar ndërtesën e punishtes së bulmetit.
Ndërsa bujtina është një shtesë e kohëve të fundit në veprimtarinë ekonomike të familjes, historia e “prodhimit të djathit” e ka zanafillën që kur demokracia në Shqipëri ishte ende në fillimet e saj. Në vitin 1991, familja hapi një bulmetore pranë sheshit të fshatit Nivicë, dhe me pas një bulmetore tjetër në vendndodhjen aktuale, në vitin 2000. Për shkak të lartësisë dhe klimës të ftohtë të vendit ku ndodhet aktiviteti, të cilat janë të favorshme për kafshët, ata ia dolën të rrisnin cilësinë dhe sasinë e djathit të prodhuar. Pozicioni i bulmetores favorizon ndjeshëm kohën e transportit të qumështit që prodhohet nga barinjtë në male, nga rreth 15 kullota verore që ata disponojnë.
Punishtja përpunon 1000 – 1500 litra qumësht çdo ditë gjatë sezonit, i cili zgjat nga muaji maj, deri në fund të korrikut. Gjatë kësaj kohe, familja prodhon të gjitha produktet e vitit, përfshirë djathin e bardhë të zakonshëm, djathin me feta, djathin kaçkavall, djathin e verdhë të fortë, si dhe salcën e kosit, gjizën dhe gjalpin. Në bujtinë përdoret kryesisht qumështi nga delet dhe dhitë dhe vetëm një përqindje e vogël e qumështit të lopës. Cilësia dhe freskia e jashtëzakonshme e këtyre produkteve mund të shijohen gjatë një vakti në restorantin e këndshëm e të dekoruar ngrohtë në katin e parë. Pothuajse gjithçka që shihni në pjatat që do të konsumoni në Bujtinën Xhebro, prodhohen brenda një kohe shumë të shpejtë. Arjola shpjegon se nuk ka asnjë mënyrë tjetër, pasi udhëtimet për blerje në qytetin më të afërt do të ishin të pamundura, për shkak të distancës së largët. Prandaj, përveç produkteve të qumështit të zonës, ajo që ju konsumoni në bujtinë vjen nga kullotat e verës në male (mish qengji, mish viçi ose mish keci, i gatuar në rosto ose i pjekur sipas traditës së furrës holandeze, i njohur ndryshe si saçi tradicional), ose vjen nga kopshti i familjes.
Po të eksploroni zonën përreth shtëpisë, do të gjeni një copë toke të mbjellë me zarzavate të ndryshme, përfshirë marule dhe spinaq, hudhra, qepë pranverore, domate, speca, panxhar dhe patate, edhe pse shumë nga prodhimet piqen më vonë sesa në fshat, për shkak të lartësisë të madhe mbi nivelin e detit. Në afërsi të rrugës, familja ka mbjellë çaj mali dhe pemë kivi, që ngjitet lart në trina dhe bën hije, ndërsa shpati i kodrës ngjitur me bujtinën është mbjellë me 250 pemë të reja arre. Në bujtinë ka dhe shumë pemë molle, kumbulle, qershie, si dhe ftua, me të cilat familja bën reçelin e saj. Me këto produkte të zonës, zonjat në kuzhinë, gra ose vajza të familjes të madhe Xhebro, gatuajnë ushqime të shijshme tradicionale, duke filluar nga sallatat e freskëta dhe perimet e pjekura, byrek me petë të holla, të përgatitura ndryshe në krahasim me zonat e tjera (ju duhet të bënë porosi një ditë përpara), byrek me bimë të egra, harapash (rrathë me gjalpë, qepë, barishte, miell misri) dhe petanik (i ngjashëm me flinë, disa shtresa pete dhe djathi, i pjekur me saç petë pas pete). Ëmbëlsirat e shijshme përfshijnë tortat e bëra në shtëpi me reçel qershie dhe revani (quhet hasude në zona të tjera të Shqipërisë, një pelte niseshteje me një shtresë të karamelizuar të freskët).
Për ata që dëshirojnë të bëjnë një shëtitje pas konsumimit të ushqimit, kanë mundësi pafund. Një ngjitje e shkurtër të ofron pamje të shpateve me bar e lule, si dhe një pyll aty pranë, përmes të cilit një shteg i tij të lidh me fshatin Nivicë. Gjatë rrugës dallohen tufat e deleve dhe dhive. Por, edhe nëse thjesht uleni në stolin (hamakun) e kopshtit, qetësia dhe paqja e zonës janë të përshtatshme për t’ju shkëputur zhurmës dhe jetës së përditshme. Mungesa e valëve të telefonit celular dhe internetit, ju ndihmojnë për ta shijuar më shumë këtë atmosferë dhe ju lejojnë të përqendroheni te natyra. Kur të vijë mbrëmja e të vini kokën në jastëk, dhomat e mobiluara ngrohtë, me ambiente të brendshme prej druri garantojnë një gjumë të mirë.
Po të shohësh suksesin e bujtinës sot, është e vështirë të imagjinohen vështirësitë që i janë dashur të kapërcejë familja për ta realizuar këtë projekt. Menjëherë pas hapjes në vitin 2019, z.Haderi ndërroi jetë nga një sëmundje dhe puna për ndërtimin e bujtinës u ndalua për pak kohë. Familja vendosi që bujtinës t’i vinte emrin e tij, në nder dhe kujtim të tij.
Përsa i përket menaxhimit të punëve, Bujtina Xhebro është shumë sfiduese. Për shkak të vendndodhjes, lidhja elektrike mungon, kështu që i gjithë gatimi bëhet me dru zjarri, ndërsa lavanderia e çarçafëve dhe e mbulesave të tavolinës bëhet me lavatriçe në qendër të fshatit. Dritat dhe prizat ushqehen nga energjia diellore, por erërat e forta thyejnë ndonjëherë panelet, të cilat duhet të zëvendësohen me kosto të konsiderueshme. Por Arjola nuk është fare e dëshpëruar. Ajo shpjegon se si familja po planifikon të zhvendosë punishten në një ndërtesë ngjitur, në mënyrë që të zgjerojë restorantin në të gjithë katin e parë, për të krijuar një atmosferë edhe më të mirë për mysafirët e bujtinës, si dhe të lidhë pronën me rrjetin e energjisë. Suksesi i Bujtinës Xhebro padyshim që sapo ka filluar.