Bujtina Gjana

Vendodhja
Shko te harta

Afër
Kukës

Informacion

Bujtina Gjana ndodhet në fshatin Ujmisht, të krahinës së Lumës. Është 22 km nga qytetit i Kukësit, në rrugën e rikonstruktuar dhe asfaltuar pak vite më parë, që lidh Kukësin me Dibrën. Bujtina gjendet në lartësinë rreth 700 m mbi nivelin e detit dhe prej aty ka një sheshpamje të gjerë, prej nga duken Lartësitë e Lurës, malet që rrethojnë Gjalicën dhe Bjeshkët e malet që afrojnë me Korabin. Ujmishti është pjesë e Bajrakut tëTejdrinës, një ndër shtatë Bajraqet e Lumës, sot pjesë e organizimit administrativ të Bashkisë Kukës. Ujmishti njihet në historikun e Lumës, për traditën vendase, për pjesëmarrjen në betejat për të qenë i lirë dhe si trevë, prej nga kanë dalë ndër shekuj burra të njohur, që nga Mahmut Pashë Rrotulla, deri te nacionalisti Muharrem Bajraktari. Bujtina është një rikonstruksion i kullës së ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të kaluar nga Idriz Jemini, djali i Jemin Sul Gjanës, i njohur si një prej krerëve udhëheqës të Lumës, në betejat antiosmane dhe antiserbe të zhvilluara në këtë trevë. Fisi Gjana është i ardhur në Ujmisht rreth 280-300 vjet më parë nga Buzë Uji i Shkodrës, sot pjesë e Malësisë së Madhe. Familja katolike në ato fillime, sot e besimit mysliman, është vendosur fillimisht në kufirin mes Ujmishtit dhe Fanit të Mirditës, dhe pasi ka ndërruar katër vendbanime, është vendosur aty ku gjenden sot, diku aty nga fundi i viteve 1800. Luma në terësinë e saj është një ndër trevat më pak të eksploruara, që ia vlen të njihet për historinë dhe traditën e saj, si dhe për lidhjet natyrore e të ngushta me Kosovën, me të cilën i kanë patur bashkë nëpër shekuj jetesën, traditat, tregun dhe luftërat. Karakteristike e bujtinës është mikëpritja e turistëve sipas traditës së sofrës kuksiane, me produkte tipike të zonës të fermës, shërbime akomodimi, aktivitete, si dhe guida në shtigje të ndryshme të zonës.

Read More