Ferma Graçi

Informacion

Ferma Graçi funksionon si zonë agroturizmi që prej vitit 2016, kur filloi të ofronte hapësira akomodimi nëpërmjet “Camping Gjirokastër”. Ndërkohë, fillesat e veta ferma i ka në vitin 2001, me kultivimin e rrushit dhe drurëve frutorë, që gjenden brenda kufijve të saj. Që nga ai vit, në fermën tonë prodhohet verë e kuqe dhe raki, nëpërmjet përpunimit të rrushit në mënyrë tradicionale, por që nga eksperienca e viteve është përmirësuar me detaje autentike të familjes Graçi. Këtu shërbehet ushqim dhe pije në restorantin ”Nga Shtëpia”, ku përdoren si lëndë e parë produktet më cilësore nga zona e Lunxhërisë, por jo vetëm. Në fermë ka 15 vende akomodimi për kampera, karavanë, tenda dhe gjithë facilitetet e nevojshme për të qëndruar e shijuar më së miri ushqimin e fermës, panoramën e mrekullueshme dhe për të vizituar atraksionet turistike të qytetit të vjetër dhe gjithë Luginës së Drinos. Ferma Graçi ka pozicion shumë të mirë gjeografik, jo vetëm për bukurinë natyrore rreth saj, por edhe për afërsinë me atraksionet turistike të Gjirokastrës. Ajo është vetëm 4 km larg nga qyteti i vjetër, vetëm 5 km larg nga Liqeni i Viroit, 30 minuta larg nga qyteti antik i Antigonesë dhe Maja e Çajupit. Gjirokastra ka edhe plot atraksione të tjera për ecje në natyrë (hiking), turizëm kulturor, kisha të vjetra autentike, që mund të vizitohen gjatë ditëve të qëndrimit në “Camping Gjirokastër”, që gjendet brenda fermës. Në Gjirokastër zhvillohen rregullisht panaire turizmi, kulinarie e artizanati, Festivali Kombëtar Folklorik në kalanë e qytetit, Festa e Birrës dhe aktivitete të tjera kulturore si: Festivali i Teatrit ”Kadri Roshi”, ”Maratona e Këngës” e të tjera aktivitete që mundësohen nga Bashkia Gjirokastër gjatë pranverës, verës dhe vjeshtës.

Read More