Ofrohet shërbim Kantinë
Vendodhja Shko te harta
Afër Qytetit të Beratit, trashëgimi botërore e mbrojtur nga UNESCO, Malit të Tomorrit, Ujëvarës së Bogovës, Kanionit të Osumit
Transporti
Me makinë, 20 minuta në drejtim të juglindjes nga Berati, me tabela përkatëse nga rruga kryesore, afërsisht 500m përgjatë asfaltit të shtruar rishtazi
Akomodimi
6 dhoma, duke filluar nga 45 euro nata.
Çfarë mund të bësh
Degustim vere, ekskursione në zonë .
Merr me vete
Raki, vaj ulliri dhe një shishe nga vera juaj e preferuar Nurellari.
Kantina e familjes Nurellari të bie në sy në shikim të parë në fshatin Fushë-Peshtan, një fshat i vogël që ka 1200 banorë. Ai ndodhet në jug-lindje të Beratit në një rrafshnaltë, i kufizuar nga lumi Osum në njërën anë dhe fushat e malit Tomorr në anën tjetër. Prona është e mirëmbajtur ndërsa ndërtesa e bukur e madhe me tulla me disa elemente modernë është restauruar kohët e fundit. Padyshim që, të vret sytë, kur përtej portave sheh mbeturina, mbetje materialesh ndërtimi, dhe shtëpinë ngjitur pa çati që po shkatërrohet gradualisht.
Kreu i familjes verëprodhuese, Fatos Nurellari, më parë kishte një biznes ndërtimi, por gjithnjë kishte patur një dashuri të veçantë për verën. Megjithëse me origjinë nga Fushë-Peshtani, familja u zhvendos në Berat për disa vite para se të kuptonte përfitimet e të jetuarit në fshat. Meqenëse e kishin shitur shtëpinë e vjetër të familjes, ata morën me qira një shtëpi pas kthimit në fshat dhe mbollën një vresht të vogël në pronën përreth, dhe prodhuan shishet e para të verës në vitin 1995. Me kalimin e kohës, familja e shtriu biznesin dhe u transferua në vendndodhjen aktuale në vitin 2000.
Fatosi dhe e shoqja, të dy agronomë gjatë periudhës komuniste, si dhe tre djemtë e tyre, janë të përfshirë në administrimin e kantinës. Evi, 25, dhe Leventi, 28 vjeç, mbikëqyrin prodhimin dhe kujdesen për vizitorët, ndërsa vëllai i tyre i madh jeton në Londër dhe është angazhuar në promovimin dhe mbështetjen e biznesit nga distanca. Evi ka studiuar për ekonomi në Tiranë, ndërsa Leventi ka studiuar për bujqësi në Tiranë dhe Kamëz, si edhe ka mbaruar gjithashtu edhe kurse specializimi për prodhimin e verës në Francë dhe Itali. Të dy kanë marrë po ashtu pjesë në një kurs për kamerier vere në Zvicër.
Ndërtesa me tulla ku ndodhen pajisjet e prodhimit ishte një depo komuniste, dhe fillimisht ishte e vetmja ndërtesë në kompleks. Pas zgjerimit të saj në vitin 2014, sot në këtë depo të vjetër bëhet fermentimi i verës, në depozita të mëdha prej çeliku. Përmes një dere prej druri me dy kanate, vizitorët e kantinës çohen në fabrikën e shisheve dhe nëpërmjet një shkalle prej druri të harkuar zbresin poshtë në bodrumin e verës.
Projektuar nga një arkitekte argjentinase, bodrumi i verës Nurellari është me të vërtetë një vepër arti. Salla e gjatë ka rafte vere prej druri përgjatë anëve të saj të gjata, dysheme mermeri dhe shumë harqe që përshkojnë tavanin dhe që qëndrojnë mbi kolona prej guri të lehtë, të gdhendur. Në qendër gjenden dy rreshta me fuçi druri të gdhendura me dorë me emblemën e kantinës. Përgjatë kafazit të shkallëve, nga raftet e larta të lakuara shihen shishe vere të periudhave të ndryshme.
Kantina Nurellari prodhon rreth 30,000 shishe verë në vit, dy të tretat janë verë e kuqe dhe një e treta e bardhë. Familja nuk shet verë të hapur ose në kuti plastike. “Vera jeton në shishe” është besimi të cilit Fatosi i ka qëndruar besnik që nga fillimi. Vera shitet direkt në kantinë dhe në supermarkete të zgjedhura në Berat, si dhe me të furnizohen edhe restorante të zonës.
Varietetet e përdorura në kantinë përfshijnë disa lloje rrushi të njohur ndërkombëtarisht si montepulciano, merlot dhe kabërnet sauvignon, si dhe katër lloje rrushi vendas. Pulsi dhe Debina e bardhë janë dy varietetet e bardha vendase, ndërsa Debina e zezë dhe Serina e zezë janë varietete të kuqe.
Rrushi i bardhë fermentohet për 15 ditë në depozita prej çeliku inoks, dhe nga 16 deri në 17 ditë, ose ndonjëherë edhe më gjatë në një temperaturë më të ulët, për verërat e kuqe. Një verë e cila është një përzierje e montepulciano-s, merlot-it dhe kabërnet-it, e shitur si Montemeca staxhionohet në fuçi lisi për 6 muaj. Nëse dëshironi të shihni procesin e bërjes së verës ashtu siç ndodh, vizitoni Kantinën Nurellari në mes të gushtit ose në fillim të shtatorit, kur është vjelur rrushi, deri në dhjetor.
Nurellarët e quajnë 5.5 hektarëshin e vreshtave të tyren, 0.6 hektarë të të cilave janë ngjitur me kantinën. Më shumë rrush po rritet në një kodër aty pranë, ndërsa një pjesë toke me më shumë vreshta gjendet në shpatin e malit Tomorr përgjatë rrugës për në fshatin Kapinove. Edhe një hektar tjetër është marrë me qira nga familja, por prapë se prapë blihet ende rrush nga fshatarët e tjerë për prodhimin e verës së tyre.
Përveç katër verërave të ndryshme, familja prodhon edhe raki rrushi, si edhe një raki të aromatizuar me arra. E quajtur Arrabon, emri është i përbërë nga fjala shqipe arrë dhe emri i gruas së Fatosit, Libonike, e cila frymëzoi prodhimin e pijes. Për më tepër, familja shet vaj ulliri të prodhuar nga ullinjtë e tyre.
Të gjitha këto produkte mund të shijohen gjatë degustimit, përfshirë, në mënyrë të alternuar tre verëra, ose katër verëra dhe raki. Antipastat që shoqërojnë pijet gjatë shijimit përfshijnë djathin e prodhuar në fshatin e afërm Mbrakull, ullinj dhe bukë. Shijimi i verës bëhet në dhomën e degustimit, e cila është një dhomë e bukur në katin e sipërm të ndërtesës me dritare të mëdha që lejojnë pamje të shkëlqyera mbi vreshtat dhe kodrat e gjelbra aty afër, si dhe disa detaje të zgjuara projektimi. Materialet për pjesën e brendshme janë marrë nga zona, dhe të gjitha mobiljet, raftet dhe llambat janë punuar me dorë nga zejtarë vendas nga Berati.
Në të njëjtin nivel me dhomën e degustimit gjenden edhe gjashtë dhoma të reja për miqtë, të hapura së fundmi në maj të vitit 2019, me stile individuale dhe kapacitet për dy ose tre vetë. Në përputhje me pjesën tjetër të ndërtesës, druri, tullat dhe guri vendas mbizotërojnë kompozimin e dhomave të thjeshta, por të dekoruara me shije. Për vizitorët që flenë aty përfshihet mëngjesi, ndërsa vaktet e tjera vihen në dispozicion vetëm sipas kërkesës, pasi kantina nuk ka kuzhinën e vet. Sidoqoftë, shërbimi catering mund të organizohet në bashkëpunim me restorantet aty pranë.
Për të ardhmen, familja po planifikon të krijojë një hapësirë tjetër jashtë për degustimin e verës së tyre, në mes të vreshtave të rrushit, pas kantinës. Në dobi të kantinës, ka gjithashtu plane për të restauruar qendrën e fshatit, përfshirë ndërtimin e rrugëve të reja dhe prishjen e ndërtesave të rrënuara. Së fundi, Fatos Nurellari ka dorëzuar një kërkesë për të marrë me qira 30 hektarë tokë nga qeveria në fshatin Vodicë aty afër, që ndodhet midis Fushë-Peshtanit dhe Beratit, për të shtrirë më tej kultivimin e rrushit vendas nga familja. Pranimi i kësaj kërkese do t’i lejonte familjes që të rriste në masë të madhe prodhimin gjatë viteve të ardhshme. Ëndrra e familjes është që përfundimisht të përdorin vetëm varietete lokale, dhe të eksportojnë deri në 30% të prodhimit të tyre, duke i dhënë realisht verës shqiptare famën ndërkombëtare që ajo meriton.