Ofrohet shërbim Stalla kuajsh, restorant
Vendodhja Shko te harta
Afër Qytetit të Durrësit, plazhit të Durrësit dhe Golemit
Transporti
Me makinë private nga Shkallnuri, në jug të Durrësit, ndiqni rrugën drejt jugut dhe tabelat që tregojnë drejtimin për në rezort. Për të mbërritur atje duhet të kaloni në një rrugë të pjerrët dhe të ngushtë, por të asfaltuar. Ka shumë hapësirë për parkim në dispozicion.
Akomodimi
18 dhoma dyshe me standard të lartë, duke filluar nga 70 euro nata, dhomat teke duke filluar nga 50 euro nata; suita 200 euro nata.
Çfarë mund të bësh
Kalërim në fshatin Dedej aty afër dhe në rezervuarin lokal .
Na kontaktoni
+355 69 609 0080
[email protected]
http://www.kodrakuajve.com/
Është e qartë se ajo çka më së shumti ngjall kureshtje në lidhje me Kodrën e Kuajve është emri. Restoranti dhe rezorti dominohen nga një rrethim i madh për hipizëm, rreth të cilit janë organizuar hoteli, restoranti në katin përdhe, stallat e kuajve dhe hapësira per tu ulur në natyrë e restorantit.
Historia e rezortit filloi kur Gerti Hima, pronari i kuajve të Kodrës së Kuajve, ndërtoi stallën e parë të kuajve në vitin 2011/12 në pronën e familjes së tij në një kodër të lartë në afërsi të fshatit Dedej, në jug të Shkallnurit, Qarku i Durrësit. Fillimisht, ishte menduar të ishte një vend i qetë, ku ai të mund të shijonte fundjavën me miqtë dhe familjen e tij, por së shpejti Gerti, i rritur në Durrës dhe tani në mes të të ’40-ve, e kuptoi se pasioni i tij për kuajt dhe ideja e ngritjes së një rezorti mund të plotësonin njëra-tjetrën.
Më pas u ndërtua një restorant i vogël, i cili u rrit me kalimin e kohës për shkak të rekomandimeve me gojë. Suksesi i biznesit i mundësoi familjes të blinte dhe merrte me qira më shumë tokë përreth, dhe në vitin 2017 në kompleks u shtua edhe një hotel. Kuajt janë akoma në qendër të biznesit, dhe Kodra e Kuajve ka aktualisht 15 kuaj, duke përfshirë 3 poni (racë kali e vogël).
Teksa i afroheni pronës, ajo që të bën përshtypje është rruga e ngushtë e asfaltuar që të çon nga Shkallnuri deri në kodrën ku shtrihet rezorti, pamjet mahnitëse mbi qytetin e Durrësit, shtrirja e madhe e plazhit dhe uji i pastër ngjyrë blu. Kur hyn nga vendparkimi i gjerë i makinave, të bën përshtypje prona e pastër dhe e mirëmbajtur me disa ullinj të vjetër të bukur dhe disa palma dekorative. Pas tabelës që tregon drejtimin për te bari dhe restoranti, pamja hapet dhe përveç detit, shfaqen rrethinat e gjelbra të harlisura, fshati aty afër dhe një rezervuar në distancë.
Kodra e Kuajve nuk është një fermë tipike, por mbart ende një lidhje të fortë me agroturizmin, dhe jo vetëm për shkak të kuajve. Restoranti ka një bashkëpunim të ngushtë me fshatarët vendas nga Dedej, dhe e gjithë lënda e parë, si mishi, qumështi, djathi, vezët, si edhe perimet, mjalti dhe frutat që u shërbehen klientëve të rregullt merren prej tyre. Restoranti ka patur disa lopë në pronë, por për shkaqe higjienike u mor vendimi që për rritjen dhe mbarështimin e gjësë së gjallë të kontraktoheshin fermerët e fshatit. Fshatarët kujdesen gjithashtu për pulat, dhitë dhe delet dhe dërgojnë qumësht dhe mish në fermë, kur është e nevojshme. Në një stallë aty pranë jetojnë vetëm kuajt poni dhe disa drerë, të cilët mund të shihen nga lartë nga hapësira e jashtme për tu ulur e restorantit.
Në dallim nga shumica e restoranteve afër bregdetit, Kodra e Kuajve është e specializuar si restorant mishi, por ofron edhe disa alternativa peshku dhe produkte deti, si dhe ofron shumë mundësi për vegjetarianët. Dy vëllezër nga Durrësi shërbejnë si kryekuzhinierë, por menuja përbëhet nga gatimet e preferuara tradicionale nga rajone të ndryshme shqiptare dhe më gjerë. Gatimet në menunë e pasur përfshijnë pjata të para të përziera, byrek, jufka shtëpie, bollgur, japrak me gjethe të mbushura rrushi, bukë misri, speca të mbushur me djathë, dhe lloje të ndryshme mishi, të tilla si, viç, kec, qengj, pulë dhe rosë. Larmia e madhe e pjatave të makaronave, supave, djathërave, perimeve dhe sallatave të freskëta garantojnë që çdo vizitor të gjejë diçka sipas shijes së tij, dhe freskia dhe cilësia e përbërësve shihet qartë në çdo pjatë.
Janë gjithsej 52 tavolina ku ulen rreth 400 persona, të cilat mbikëqyren nga administratori Embro. Kur ishte vetëm në mes të të njëzetave, ai filloi punë këtu si kamerier. Ai vazhdoi të punonte gjatë viteve të studimeve universitare dhe tani, me përvojë shtatë vjeçare, punon për të mbajtur të lumtur mesatarisht 1000 vizitorët të cilëve u shërben restoranti në natë.
Përveç tavolinave përreth pistës së kalërimit jashtë, ka edhe ambiente të brendshme për tu ulur dhe dhoma e oxhakut, e cila mund të rezervohet për festime private. Nga ana e brendshme, muret janë zbukuruar me vegla tradicionale bujqësore dhe antike të tjera, duke përfshirë mulli kafeje dhe çajnikë, kana metalike dhe pjata dekorative, si dhe pistoleta dhe pushkë. Kitarat elektrike dhe disa disqe muzikore origjinale, përfshirë këtu dhe një disk vinili të larë në flori i tirazhit të kufizuar i Elvis Presley-t dëshmojnë dashurinë e pronarit për muzikën.
Nga këtu, një rresht dritaresh ofrojnë pamje të stallave të kuajve, të cilat ndodhen brenda kompleksit. Kuajt janë të madhësive dhe racave të ndryshme, duke përfshirë friesianët, anglo-arabët, andaluzianët, haflingerat dhe poni, dhe për to kujdeset Leonard Barziu, ish-kampion i garës me pengesa, dhe Ariola Dedej, kampione garash. Të dy punojnë gjithashtu si instruktorë hipizmi dhe i udhëheqin vizitorët gjatë turneve të hipizmit nëpër fshat dhe rrethina.
Mbi restorant dhe stalla, pjesa tjetër e kompleksit katër katësh është një sallë e madhe për gëzime dhe martesa në katin e parë, ndërsa dy katet e sipërme janë dhoma hoteli për vizitorë. Ndërtesa ka një fasadë të bardhë me tulla dhe pllaka kafe çatie që kombinohen, dhe në qendër të saj gjendet një kullë tetëkëndëshe me dritare të larta me kornizë druri që përshkojnë tre kate.
Pjesa e brendshme e ndërtesës përbëhet nga një përzierje materialesh në ngjyra klasike, të errëta dhe theksohet me zbukurime dhe llambadarë. Në katin e sipërm, korridori është projektuar me një tavan të lartë deri në çati dhe me panele të dukshme druri. Të 16 dhomat dhe 2 suitat janë të një standardi të lartë, me ballkone me pamje mahnitëse, tualet dhe një kasafortë, si dhe banja moderne dhe të bollshme. Të gjitha dhomat e katit të sipërm janë të pajisura me oxhak. Për më tepër, në të gjitha dhomat dhe korridoret janë të ekspozuara punime origjinale të piktorëve shqiptarë, me tema përfshirë pronën, rrethinat dhe portretet e anëtarëve të familjes së pronarit, të cilat u pikturuan gjatë një ngjarjeje ku ishin të ftuar 30 piktorë të njohur nga i gjithë vendi.
Për të përmirësuar më tej rezortin, salla e dasmave është planifikuar të zhvendoset për të krijuar hapësirë për një zonë llixhe të re brenda ndërtesës me një pishinë dhe sauna. Një plan tjetër është zgjatja e turneve të hipizmit në një aventurë kampingu gjatë tërë natës me një barbecue pranë liqenit Dursi aty pranë. Në këtë mënyrë, Kodra e Kuajve është e destinuar të vazhdojë të jetë një destinacion i pëlqyer për vizitorët e të gjitha moshave dhe interesave.