Mrizi i Zanave

Ofrohet shërbim
Restorant, fermë dhe punishte

Vendodhja
Shko te harta

Afër
Shkodrës, Lezhës

Transporti

Nuk ka transport publik; afrojuni rrugës nacionale SH1 ndërmjet Shkodrës dhe Lezhës, merrni kthesën në rrugën dytësore për në Fishtë, ndiqni tabelat për te Mrizi i Zanave.

Akomodimi

9 dhoma, nga 40 euro nata

Çfarë mund të bësh

Shëtitje në fermë dhe në punishtet e përpunimit të ushqimit

Merr me vete

Një shportë me dhurata (e bërë nga mjeshtërit artizanë vendas) me produkte të zgjedhura nga dyqani i suvenireve të fermës; këtu shiten, ndër të tjera, edhe produkte qeramike, reçel dhe djathë.



Informacion

Asnjë botim mbi fermat e agroturizmit shqiptar nuk do të ishte i plotë pa përmendur Mrizin e Zanave. Emblema e agroturizmit shqiptar është ide fantastike e shefit të kuzhinës Altin Prenga, i cili ngriti restorantin dhe fermën aty ngjitur në fshatin Fishtë në veri të Shqipërisë.

Altini, së bashku me vëllain e tij, Antonin, emigruan në Itali si adoleshentë në vitin 1998, dhe e filloi duke larë pjata. Pa kaluar shumë kohë ai filloi të trajnohej si shef kuzhine, duke ndjekur gjurmët e të atit, i cili ka qenë shef kuzhine në mensën e fshatit në kohën e komunizmit. Kur u kthye në rrënjët e tij në Fishtë pas 11 vjetësh, ai ishte i vendosur ta përdorte përvojën e fituar për të hapur restorantin e vet. I frymëzuar nga poeti i famshëm shqiptar nga i njëjti fshat, Gjergj Fishta, ai e quajti vendin Mrizi i Zanave, dhe nisi punën për të krijuar një vend magjik për të qenë i denjë për përrallat epike të Fishtës në antologji.

Kur mbërrin te Mrizi i Zanave, vendi gumëzhin. Kjo nuk përbën çudi po të mendosh se vendi u shërben rreth 100,000 vizitorëve në vit. Janë gjithsej 70 punëtorë të përfshirë në të gjitha aspektet e prodhimit në fermë, përpunimit ushqimor dhe restorant. Prodhimet e bulmetit dhe mishit, si edhe produkte të tjera, sigurohen nga 400 familjet aty afër.

Rruga drejt ambienteve të restorantit lë mbrapa një fushë me disa sera në të djathtë dhe disa rreshta me ullinj në të majtë si edhe zonën e parkimit, të mbuluar me vreshta dhe hardhi dekorative kungujsh. Nëse dëshironi një vakt vetëm me produkte të freskëta dhe lokale, sigurohuni që më parë të keni bërë një rezervim, pasi edhe gjatë ditëve të javës vendi është i mbushur dhe duhet pak fat për të siguruar një tryezë pa rezervim paraprak.

Kur Mrizi i Zanave hap dyert, më saktësisht në orën 12 për vizitorët e drekës, një ushtri e tërë stafi del nga kuzhina për të prezantuar personalisht menunë (pasi asgjë nuk është e shkruar), për të marrë porosi dhe për të sjellë pjatë pas pjate antipasta të ndryshme, pjata kryesore të gatuara me kujdes dhe ëmbëlsira fantastike. Restoranti është anëtar i International Slow Food Convivium, dhe përqendrohet te gatimet rajonale dhe variacionet sezonale, kështu që menuja përshtatet vazhdimisht gjatë gjithë vitit. Në varësi të sezonit, pjatat e para mund të përfshijnë domate të thata, lloje të ndryshme të perimeve turshi si bamje ose patëllxhanë, ullinj, mish të thatë, salsiçe, pjata me djathëra të ndryshëm të bëra në shtëpi të shoqëruara me shurup me aromë pishash, byrek, lule kungulli të skuqura fort dhe perime të pjekura në skarë. Ushqimi nuk është vetëm me shumë shije, por edhe prezantohet bukur dhe me finesë. Në përgjithësi, këtu gjen gatimet tradicionale dhe të njohura shqiptare me një prekje moderne. Stafi i kuzhinës përbëhet si nga gra të zonës ashtu edhe kuzhinierë profesionistë të trajnuar, shpesh edhe në nivele ndërkombëtare.

Sidoqoftë, Altini, i cili punon së bashku me Antonin si kryekuzhinier, nuk kanë ndërmend të sakrifikojnë autenticitetin e pjatave të tyre për të kënaqur shijen e të gjithëve. Ndërsa disa biznese mund të zgjedhin të përfshijnë makarona tradicionale, të tilla si spaghetti, te Mrizi do të gjeni vetëm makarona të bëra në shtëpi, të njohura si jufka, të cilat shërbehen me kërpudha ose një salcë boronice. Kjo nxjerr në pah pikëpamjen e Altinit se është e lehtë të shkosh jashtë shtetit dhe pastaj të rikthehesh me diçka për ta shitur në Shqipëri, por është shumë më e vështirë të kthehesh me përvojat e tua dhe të punosh me zonën për të krijuar diçka origjinale, e cila i përshtatet vërtet vendit. Kjo i shkon për shtat motos së Mrizit të Zanave “Mendo globalisht, ha lokalisht!”.

Të jesh i suksesshëm në këtë punë kërkon guxim, por gjithashtu i lejon Altinit të ketë bujqësi të qëndrueshme dhe praktika të suksesshme biznesi. Pak vende në Shqipëri do të refuzonin të ofronin pije joalkoolike në kanaçe, por te Mrizi i Zanave ato nuk shihen asgjëkundi. Përkundrazi, te Mrizi ofrohet një larmi lëngjesh frutash të shtrydhura të freskëta. Në këtë mënyrë, në vend që të prodhojnë grumbuj plehrash nga kanaçet e pijeve, mishi i frutit të mbetur nga lëngu i freskët kthehet në fermë për të ushqyer 500-600 patat që rriten atje.

Për të krijuar një ide më të plotë të punës në fermë, vizitorët mund të bëjnë një turne nëpër fusha dhe punishte. Këto të fundit janë vendosur në ish-burgun e fshatit, të cilin Altini e restauroi dhe e shndërroi në punishte të përpunimit të ushqimit në vitin 2018. Në një shëtitje disa minutëshe përgjatë arës me perime të shumëllojshme dhe një vresht me rrush Kallmet, grupi i ndërtesave është projektuar në formë drejtkëndëshi, duke formuar një oborr të brendshëm me lulishte dhe disa ullinj të mëdhenj. Në të djathtë është një kantinë fringo e re për prodhimin e verës, ku familja Prenga filloi prodhimin në vitin 2019. Punëtorët e angazhuar dhe entuziastë drejtohen nga Antoni, i cili mbikëqyr procesin së bashku me një konsulent vendas dhe një konsulent të huaj për të siguruar cilësinë e produktit përfundimtar. Pranë kantinës, mishi thahet, tymoset, dhe përpunohet në sallam.

Në një ndërtesë tjetër, disa punëtorë përgatisin çdo lloj reçeli që mund të imagjinoni, lëng thane, i cili u ofrohet vizitorëve me të mbërritur, si dhe domate të thata të grira në vaj. Përballë kësaj, qumështi nga fermat përreth bëhet djathë i llojeve të ndryshme, duke filluar nga djathi i ngjashëm me ricotta-n e deri tek djathërat e fortë të staxhionuar. Ndërsa punishtet e prodhimit janë të fjalës së fundit të teknologjisë, Altinit ende i pëlqen të përdorë metodat dhe materialet tradicionale, si fuçitë prej druri të përdorura gjatë periudhës komuniste për ruajtjen e djathit në ujë, të cilat aktualisht janë të vështira për tu gjetur. Po ashtu mulliri i vjetër prej guri, i përdorur për bluarjen e grurit ose misrit dhe prodhimin e miellit, është tradicional, megjithëse i integruar me elemente modernë. Ai ndodhet në fund të zonës së parkimit poshtë restorantit, dhe ndërsa energjia elektrike e prodhuar nga dielli zëvendëson fuqinë origjinale të ujit të përdorur për ta vënë atë në punë, vizitorët mund të shohin nga afër se si realizohej bluarja tradicionalisht në Shqipëri (dhe si realizohet ajo aktualisht në disa fshatra të largëta).

E fundit, por jo nga rëndësia, familja Prenga i ka dhënë një prekje bashkëkohore një pjese tjetër të traditës dhe historisë së familjes. Shtëpia e vjetër prej guri e ndodhur në pikën më të lartë të fermës, e cila dikur i përkiste gjyshit të Altinit, u restaurua në vitin 2018 nga familja dhe u shndërrua në bujtinë. Një qoshe e rrënuar e ndërtesës është kthyer në mënyrë krijuese në një dritare xhami nga dyshemeja në tavan, duke krijuar një kombinim tërheqës të elementeve tradicionalë prej guri dhe druri me materialet modernë, si brenda ashtu edhe jashtë. Dhomat janë fshatarake dhe të rehatshme, me tualete elegante, me panele prej xhami që bëjnë kontrast, dhe të zbukuruara duke i kushtuar shumë vëmendje detajeve.

Është ky kombinim i traditës dhe modernes, vëmendja ndaj detajeve dhe përvoja unike që e bën Mrizin e Zanave një vend me të vërtetë të veçantë si për vizitorët vendas ashtu dhe të huaj.

 

Më shumë