Ofrohet shërbim Restorant dhe fermë
Vendodhja Shko te harta
Afër Qyteti i Korçës, fshatrat e Dardhës dhe Voskopojës, kufiri maqedonas dhe grek, liqenet e Prespës
Transporti
Me makinë private, 10 minuta larg nga Korça, duke ndjekur tabelat për të shkuar në Dardhë, merr pastaj kthesën te tabela “Shaka”, përpara se të futesh në fshatin e Boboshticës dhe shkon deri në fund të rrugës; disa qindra metrat e fundit janë rrugë e pashtruar, por që mund të përdoret nga të gjitha llojet e automjeteve.
Akomodimi
Aktualisht nuk ka akomodim. Kontaktoni me Tavernën Xhufka për përditësime.
Çfarë mund të bësh
Ecje në zonën rreth Dardhës ose Parkut Kombëtar të Drenovës. Vasillaqi mund të organizojë një guidë për ju.
Na kontaktoni
Të vizitosh Tavernën Xhufka në pjesën rurale të Qarkut të Korçës është të marrësh frymë në ajër të pastër. Një rrugë e vogël anësore para se të hyni në fshatin Boboshticë të çon deri në rrëzë të vargmalit Morava, të cilat janë pjesë e Parkut Kombëtar të Bredhit të Drenovës. Sidomos në kulmin e verës, kur në Tiranë dhe në bregdet është shumë nxehtë, kjo është një zonë që ia vlen të vizitohet. Në pak më shumë se 1000 metra mbi nivelin e detit, klima e freskët dhe kënaqësia e të ulurit në hijen e një peme me familjen ose miqtë, i rrethuar nga natyra e bukur dhe duke shijuar një vakt të shkëlqyer, është gjithçka që mund të kërkosh.
Kur mbërrin në pronë në fund të rrugës së shtruar me zhavorr, të bën përshtypje mungesa e një porte madhështore, e nje shenje apo banderole të madhe, as mure e rrethime që shënojnë kufijtë e pronës. Vizitorët kalojnë stallën e madhe ku rrinë lopët dhe parkojnë makinën e tyre në sheshin e vogël me kalldrëm, nën pemë të mëdha gështenje dhe shelgu. Thjeshtësia që gjejnë aty, harrohet nga pjesa tjetër e përvojës që kalojnë.
Z. Vasillaq Xhufka, pronari i tavernës, kishte një vizion të qartë të asaj që donte të krijonte, për të tërhequr turistë. Ai ishte rritur në Boboshticë deri në klasën e katërt, kur familja u transferua në qytetin e Korçës (të dy prindërit e tij punuan si mësues gjatë periudhës së komunizmit). Pas rënies së regjimit, Vasillaqi provoi fatin e tij duke shkuar e punuar në Greqi, si shumë shqiptarë në atë kohë, por u kthye pas një viti e gjysmë. Ai hapi në Korçë dy dyqane, por nuk mundi të duronte jetën në qytet, pasi zemrën e kishte në fshatin e lindjes.
Në vitin 1993, kur ai vendosi të kthehej në tokën e babait, miqtë e tij u çuditën që ai u kthye në fshat. Fillimi ka qenë vërtet i vështirë. Në një copë tokë livadhi, Vasillaqi filloi ndërtimin e një rruge për të hyrë në pronën e trashëguar. Më pas bëri lidhjen me energjinë elektrike, dhe në fund ndërtoi një shtëpi të vogël për të jetuar familja, si dhe një stallë të madhe. Për shkak se nuk kishte përvojë në rritjen e bagëtive, iu desh të mësonte nga e para si të kujdesej për kafshët.
Gjithashtu, ai mbolli pemë në të gjithë pronën. Të gjitha pemët që u bëjnë hije sot vizitorëve ose që prodhojnë arra, qershi dhe kumbulla të egra për familjen janë mbjellë nga Vasillaqi, i cili donte të krijonte sa më shumë të ishte e mundur, një vend që i ngjan një pylli të dendur. Ai edhe sot e kësaj dite refuzon të përdorë pleh artificial për livadhet e tij, duke u mbështetur në plehun e prodhuar nga 70 lopë dhe deri në 100 dele e qengja, duke thënë shpesh se “zoti kujdeset vetë për tokën”.
Në këtë kuptim, nga momenti kur del nga vendparkimi i makinës, ecën nëpër rrugën e shtruar me gurë që të çon përmes livadhit në një nga tryezat prej druri. Të duket sikur po bën një piknik në natyrë. Por, në vend që të sillni ushqimin me vete, restoranti i Tavernës Xhufka ofron një larmi ushqimesh tradicionale të shijshme, për të cilat është e njohur zona. Një nga djemtë e Vasillaqit, Pirroja ose Nikoja, të cilët u shërbejnë klientëve të restorantit gjatë sezonit, të thonë cili është specialiteti i ditës, kurse Mirela në kuzhinë përgatit ushqimin, me ndihmën e punëtorëve nga fshati, kur ka shumë vizitorë.
Përveç mishit të freskët që rritet në fermë, duke përfshirë mishin e viçit, të qengjit, kecit ose mishin e derrit të përgatitur si biftek, kotoletë, të pjekur në furrë ose si qofte, ka dhe gjalpë të bërë në shtëpi dhe dhallë, që përgatiten manualisht, në mënyrën tradicionale nga familja. Përveç djathit të bardhë të lopës dhe salcës së kosit, si dhe mëlçisë dhe zorrëve që ofrohen, pjata që nuk duhet të humbisni është lakrori në saç, një lloj byreku me dy shtresa i mbushur sipas dëshirës suaj me djathë, hithra, presh dhe gjizë, zarzavate të egra ose qepë dhe domate.
Familja gjithashtu, bën reçelin e tyre dhe prodhon mjaltë, nga disa koshere prapa shtëpisë. Bletaria ishte dikur pasioni i babait të Vasillaqit, por pasi ai ndërroi jetë ata e reduktuan prodhimin e mjaltit për të përmbushur vetëm nevojat e familjes. Sidoqoftë, përvoja e hershme e Vasillaqit i takon një fushe tjetër. Ai dikur punonte si teknolog në një punishte vere gjatë komunizmit dhe sot vazhdon të prodhojë verë dhe raki për restorantin. Duke i distiluar në mënyrën tradicionale, familja përdor kumbullat e egra nga ferma, si dhe rrushin që e blejnë përtej kufirit, në Maqedoni. Megjithatë është e paqartë, nëse Taverna Xhufka mund të vazhdojë të shërbejë verën dhe rakinë e vet në të ardhmen, pasi rregullorja për shitjen e pijeve alkoolike të bëra në shtëpi mund të ndryshojë.
Përveç kësaj, një tjetër aspekt është i paqartë në lidhje me të ardhmen e qëndrimit në fermë. Në vitin 1994, kur u nis për të realizuar ëndrrën e tij, Vasillaqi filloi ndërtimin e një hoteli, në mënyrë që t’u ofrojë mysafirëve mundësinë për të qëndruar në fermë gjatë natës. Kati përdhes duhej të shërbente si hapësirë për restorantin, pasi ka shumë pak hapësirë për t’u ulur brenda ndërtesës aktuale, për të pritur mysafirë në dimër ose në mot të keq. Pra, restoranti funksionon nga muaji mars, deri në tetor. Për shkak të mungesës së fondeve, ndërtimi i hotelit me 16 dhoma mbeti pezull për shumë vite dhe vetëm kohët e fundit ka rifilluar puna për vazhdimin e ndërtimit të tij, kur familja aplikoi për një grant nga qeveria në vitin 2018. Ky ndërtim ende nuk ka përfunduar. I mbërthyer në mes të një viti të vështirë për turizmin, dhe me një ndërtesë gjysmë të mbaruar që ende ka nevojë për investime të konsiderueshme për t’u bërë funksionale, ai po shpreson të sigurojë një tjetër grant për të përfunduar atë që ka nisur.
Një ditë, kur planet e arkitektit të bëhen realitet, me tavolina të vendosura në një shesh të madh të shtruar jashtë restorantit të ri, e gjithë atmosfera do të ndryshojë. Ajo do t’i japë Tavernës Xhufka një ndjesi më të sofistikuar e moderne, që ndryshon dukshëm nga ndërtesa e ngrohtë dhe rustike prej guri dhe druri të restorantit aktual që Vasillaqi ndërtoi vetë, gati 30 vjet më parë. Por, duke patur parasysh mentalitetin e pronarit, i cili thotë se krenaria e asaj që ai krijoi dhe gëzimi që ndjen kur sheh fëmijët të luajnë në livadhet e tij, është ajo që e bën të kënaqur dhe që vlen më tepër sesa të bësh shumë para, është e sigurt që Taverna Xhufka do të mbetet një vend ku ia vlen të rikthehesh.