Ëndrra për të shndërruar kullën e të parëve në një shtëpi pritëse (guest house), ka ardhur pas një eksperience 7-vjeçare në agroturizëm. Vitet e para kanë qenë shumë të vështira për këtë lloj aktiviteti, por me kalimin e kohës koncepti i turizmit filloi të ndryshonte pozitivisht, duke shtuar numrin e turistëve në Shqipëri.
Të huajt që kalonin në rrugën nacionale, zgjidhnin këtë kullë për ta vizituar, e më pas për t’u akomoduar. Me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR-së, u aprovua një grand restaurimi për kullën. Kjo rriti kapacitetin e akomodimit, duke e çuar në 8 dhoma. Ushqimi tradicional gatuhet nga të zotët e shtëpisë. Ofrohen guida në kullën e vrojtimit të Skënderbeut, ture sipas dëshirës së klientëve, mundësi për të bërë shëtitje tek Ujëvara Dushaj, shëtitje me biçikletë dhe me kuaj, sepse vërtet është një vend i mrekulleshëm. Janë bërë shumë aksione pastrimi dhe u rrit besueshmëria në sytë e turistëve të huaj edhe për këtë zonë. Ndërkohë, po rritet bashkëpunimi mes fshatarëve të zonës përreth, duke blerë e shkëmbyer produke natyrale. Ofrohet eksperienca të këndshme gatimesh tradicionale me nënë Sofinë, e cila me durim mëson turistët se si të gatuajnë ushqime shqiptare.