Ofrohet shërbim Kantinë vere dhe bujqësi
Vendodhja Shko te harta
Afër Qytetit të Beratit, trashëgimi botërore e UNESCO-s, Malit të Tomorrit
Transporti
Dy furgona në ditë nga Berati në Roshnik, të cilët nisen nga lagjja “Spitali” në Berat;
me makinë private, 30 minuta me makinë në verilindje të Beratit; rrugë e asfaltuar
Akomodimi
8 dhoma, private dhe konvikt. Dhomat e konviktit nga 10 euro për person, dhomat private nga 30 euro nata
Çfarë mund të bësh
Vizitë në fermë, degustim vere, piknik në liqen, ecje
Merr me vete
Një shishe Merlot Kabërnet të staxhionuar në fuçi, ose verën e bardhë të bërë nga rrushi autokton Pulës
E rrethuar me kodrina poshtë malit Tomorr shtrihet fshati Roshnik, ku banojnë 120 familje, vetëm 30 minuta larg me makinë në veri-lindje të Beratit, i rrethuar me vreshta, ullishte dhe pemishte. Kantina Alpeta ndodhet në fund të rrugës së asfaltuar që kalon përmes fshatit, duke lënë pas xhaminë.
Një biznes i vërtetë familjar, Alpeta përfshin një kantinë familjare, bujtinë dhe restorant të shtuar së fundmi, të gjitha këto të administruara nga vëllezërit Alfred dhe Petrit Fiska. Alfredi, më i qeti i të dyve, më së shumti kujdeset për vreshtat, ndërsa Petriti, më sportiv dhe plot energji, i tregon vendet përreth vizitorëve. Vëllai i tyre i madh Iliriani është pronari i restorantit në qendër të fshatit, vetëm disa minuta larg në këmbë. Në të dy bizneset ju do të gjeni tre breza të familjes Fiska që u shërbejnë vizitorëve.
Kantina që shihni sot filloi si sipërmarrje e vogël e ngritur nga babai i tyre, Beqiri, i cili ishte agronom gjatë periudhës së komunizmit. Duke përdorur përvojën e fituar, ai filloi të mbjellë vreshta rrushi në vitin 1992 dhe në vitin 1994 prodhoi verën e parë. Në fillim, familja shiste vetëm verë të hapur dhe raki, ndërkohë që me fitimet e mbledhura e zgjeruan më tej biznesin. Vitet e para të demokracisë, vitet 1990, u përdorën për të blerë tokë dhe për të konsoliduar pronat e familjes të cilat ishin shpërndarë nga shpronësimi komunist. Në vitin 2005, u shit në supermarkete dhe restorante në qytetet afër Beratit, si Lushnja e Fieri, vera e parë në shishe e prodhuar prej tyre.
Që nga ajo kohë, Kantina Alpeta ka bërë një rrugë të gjatë. Në vitin 2018, kantina prodhoi rreth 50,000 shishe verë dhe ka bërë emër të mirë dhe furnizon restorante të shumta në Tiranë dhe në jug të vendit. Kur të vizitoni vreshtat e gjera 5.5 hektarë, do të hasni disa lloje rrushi të kultivuar në fermë, të tillë si, autoktonin shqiptar shesh i zi, varietetin Pulës së zonës së Beratit, rrush dimëror si dhe disa varietete të njohura ndërkombëtarisht, të tilla si, kabërnet, merlot dhe muskat.
Nga këto, familja prodhon një përzierje merlot-kabërnet, të staxhionuar në fuçi dhe të pastaxhionuar në fuçi, Pulës të bardhë, dhe një raki rrushi të pastër, të staxhionuar në fuçi, kjo e fundit me aromë druri dhe në ngjyrë të artë. Ndër vite, vëllezërit kanë fituar përvojë në rafinimin e aromave të produkteve të tyre. Ata pranojnë se bërja e verës me cilësi të mirë ishte sfidë në fillim, një proces nxënieje që ata e perfeksionuan duke mësuar nga gabimet, duke gjetur varietetet më të mira të përshtatshme për verë të hapur, shishe dhe staxhionim.
Kalimi nga një kantinë e thjeshtë në një biznes agroturizmi erdhi gradualisht për Alfredin dhe Petritin, pasi turistët kur provonin verën e tyre në Berat kërkonin të vizitonin edhe kantinën. Petriti punon në qendër në Berat si drejtor i ndërmarrjes së furnizimit me ujë të zonave rurale, dhe para dy vjetësh vëllezërit filluan t’ju tregonin vizitorëve vreshtat dhe ambientet e prodhimit. Kërkesa u rrit shpejt dhe deri në prill të vitit 2019, me ndihmën e një granti qeveritar, familja e shndërroi shtëpinë e tyre në dhoma fjetjeje për turistët dhe e shndërroi bodrumin e verës përtej rrugës në një restorant fshatarak, ku të bie në sy përdorimi i gurit natyral, drurit dhe xunkthit në pjesën e brendshme. Një pjesë e bodrumit të verës përdoret si distileri rakie.
Qëndrimi në bujtinën e familjes përfshin përvojën e plotë të qëndrimit në një shtëpizë verimi. Kopshti i mbajtur për merak fton vizitorët të ulen dhe të pushojnë nën hijen e një peme gjigante arre. Ka pamje nga të gjitha anët e kodrave të gjelbëruara përreth, dhe prapa shtëpisë shtrihet një pjesë e fshatit ku ende janë disa shtëpi tradicionale. Mali i Tomorrit me dy maja madhështore shtrihet në distancë. Ky ambient është i përkryer për shijimin e verës, i shoqëruar nga ullinjtë e rritur në shtëpi, arra dhe djathë vendas, dhe zakonisht ose Alfredi ose Petriti, të ndihmuar shpesh nga fëmijët e tyre që flasin anglisht, janë të lumtur t’i bashkohen një bisede, çka tregon se ata kujdesen për vizitorët po aq sa për verën.
Pas një pushimi të shkurtër, një turne në pronën e familjes do t’ju japë një ide të përgjithshme të potencialit bujqësor të zonës. Si edhe në rastin e fshatrave përreth Roshnikut, të ardhurat bujqësore këtu vijnë kryesisht nga pemëtaria dhe kultivimi i ullirit. Midis rreshtave të vreshtave, ju mund të shihni fiq të mëdhenj, ndërsa pjesët më të pjerrëta të tokës janë të mbuluara në ullinj. Roshniku është i mirënjohur në Shqipëri për fiqtë e tharë me cilësi të lartë, por për familjen Fiska ato shërbejnë për një qëllim tjetër. Pemët shërbejnë si një trinë natyrale për rrushin Pulës, i cili rritet në pemë dhe lulëzon në kushte pak më të freskëta nën hijen e pemëve. Një arsye tjetër për të pasur vreshta të kryqëzuar me pemë fiku është se ato i mbajnë insektet e padëshiruara larg nga rrushi.
Përveç fiqve dhe ullinjve, në fermë ka edhe një mori pemësh frutore, si shegët, agrumet, arrat, lajthitë dhe bajamet, ndërsa një sërë koshere bletësh prej druri i lejojnë familjes të prodhojë mjaltin e vet. Nga tarraca e restorantit Alpeta, mund të shihni njërën nga parcelat me perime, ku rriten patëllxhanët, domatet, specat, misri, trangujt, bamjet dhe perime të tjera përpara se të shfaqen në pjatën tuaj. Mishi, sidomos ai i dhisë, dhe bulmeti që përdoren në restorant e kanë burimin nga fshatrat përgjatë shpateve të afërt të malit të Tomorrit.
Në fund të pronës së familjes Fiska shtrihet një rezervuar, rreth 15 minuta në këmbë nga bujtina, ku familja po planifikon të krijojë një zonë pikniku për vizitorët për tu çlodhur dhe për të shijuar mjedisin përreth, dhe mundësisht ta përdorin edhe për degustimin e verës. Rrethinat më tutje ofrojnë mundësi për ecje në pyllin e Lepijës (2 deri në 3 orë) aty afër, në kanionin e Dukovës (3 orë), ujëvarën e Sotirës (4 orë), në fshatin gati të shkretë të Sazhdanit (5 orë) ose për ekskursionistë me përvojë deri në Majën Partizani të malit të Tomorrit (6 orë deri në majë). Disa prej këtyre udhëtimeve në këmbë kërkojnë udhërrëfyes dhe makinë të lartë nga toka, gjë të cilën mikpritësit mund t’ua organizojnë nëse jeni të interesuar.
Edhe pa ndonjë aktivitet shtesë, thjesht të qëndrosh përreth bujtinës dhe të ulesh në kopshtin e familjes ndihesh si në një parajsë të vogël, të qetë, i shkëputur nga pjesa tjetër e botës, dhe vetëm një natë në Roshnik do të të rifreskojë sikur të ishte një pushim njëjavor. Të shohësh diellin teksa perëndon mbi fshat dhe e lan malin e Tomorrit në nuancat më befasuese të së kuqes krijon një mjedis vërtet magjik, ku do të doje të riktheheshe sërish.