Ferma “Vëllezërit Shehi” është krijuar nga bashkimi i pesë familjeve, që në vitin 1999. Ajo ka në pronësi 8 ha tokë bujqësore të familjes, me destinacion vreshtarinë, e cila zë 3 ha të sipërfaqes totale. Dy hektarë janë të mbjella me ullinj dhe 2 ha pemtari e blektori për nevojat e brendshme. Ferma shtrihet në Farkë, zonë “ish-ndërmarrje bujqësore”, me traditë të vjetër në fushën e bujqësisë.
Kantina e fermës ndodhet në territorin e vreshtave, me një sallë shërbimi 120 metra katror, me të gjithë aksesorët e nevojshëm, për pritjen e vizitorëve, drekë me kapacitet deri në 30 vizitorë, për degustim, mundësi për shëtitje rreth vreshtave, me pamje tërheqëse tipike të fshatit buzë përroit, mundësi dëfrimi për vizitorët e lodra fëmijësh. Në perspektivë parashikohet rritja e numrit të dhomave për akomodim e fjetje.
Ferma ndodhet 2 km nga Liqeni i Farkës, prandaj është një mundësi për vizitorët njëditorë, të cilët mund të lahen në liqen e të çlodhen tek ne. Gjithashtu, pranë fermës ndodhet dhe Punishtja e Artizanëve të Farkës, që njihet për prodhimin e enëve dhe dekoracioneve me punime balte, traditë mbi 100-vjeçare e zonës.