Nëse po kërkoni të largoheni nga jeta e zhurmshme e qytetit, Ferma Sotira është vendi i duhur për ju. Kjo fermë gjendet larg kaosit urban në rrethin jug-lindor të Kolonjës afër kufirit me Greqinë.
Po të ecësh nëpër pronë sheh kafshë që lëvizin lirshëm, të cilat i kënaqin vizitorët e rinj, të ngazëllyer për të ushqyer rosat, pulat dhe patat, për të përkëdhelur macet dhe qentë dhe për të admiruar derrkucët e lezetshëm që ndjekin të ëmën në kërkim të ushqimit. Stallat e kuajve dhe stallat e dimrit për lopët dhe delet gjenden prapa një tufe pemësh dhe matanë një përroi të vogël.
Katër nga njëzetë kuajt e fermës mund të përdoren për shëtitje me kalë, duke kaluar nëpër rrjetin e rrugëve me baltë dhe shtigjeve të ngushta për të gjetur kopetë e bagëtive që ecin nëpër male.
Sezoni kryesor turistik zgjat nga prilli deri në tetor, por familja jeton në fermë dhe i mirëpret vizitorët gjatë gjithë vitit, madje edhe në dimrat me dëborë me temperatura që arrijnë -20 °C.
Për fat të mirë, 20 vjet në biznes i ka pajisur ata me aftësi ripërtëritëse, dhe Ferma Sotira ka qenë e suksesshme pavarësisht pengesave, me një restorant plot me vizitorë që shijojnë ushqimin e freskët, organik. Gatimet tradicionale përfshijnë lakror me hithra, kos deleje, pulë të pjekur në furrë, rosë ose patë mbi oriz dhe mish të thatë. Ka hapësirë për kamping deri në 30 makina kampingu, i cili është i njohur për turistët e huaj që udhëtojnë me automjetet e tyre. Në afërsi të hyrjes së fermës, gjenden nëntë shtëpiza të vogla prej druri me dy dhoma secila, me krevat tek ose dopio, të kompletuara me banjë private dhe mobilje të punuara me dorë.