Fustanella Farm një ndërmarrje agroturizmi, në lagjen Zaranik të Petrelës. Fustanella është e përbërë nga një bujtinë e vogël me tri dhoma, ferma bujqësore dhe një restorant organik që funksionon sipas parimit “nga ara, drejt në tryezë.”
Ferma prodhon një gamë të gjerë perimesh, në përgjithësi kultura vendase, por dhe kultura të reja që kanë hyrë në vendin tonë vitet e fundit. Restoranti ofron kuzhinë mesdhetare dhe ballkanase, duke ndjekur dhe riinterpretuar receta tradicionale të gatuara për shekuj me radhë në vatrat e shtëpive, ku vishej dhe ende vishet fustanella.
Menuja është stinore dhe e bazuar drejtpërdrejt në prodhimet e parcelave që rrethojnë restorantin dhe bujtinën. Gatimet janë të shoqëruara nga disa varietete të zgjedhura verërash dhe distilatesh, kryesisht vendase, lëngje të freskëta të frutave, komposto të bëra vetë dhe çajëra organikë. Gatimet bëhen vetëm me prodhime të freskëta stinore, të kthyera në një menu ditore ose javore, me specialitete shqiptare, greke, arbëreshe, të cilat kombinohen me meze të stinës, shumë të dashura për ballkanasit e jugut.
Objektivi i fermës është që të jetë 100% organike, pa përdorur asnjë pesticid dhe asnjë lloj kimikati, përveç plehrave dhe mbrojtësve organikë.
Ferma Fustanella është e rrethuar me bukuri natyrore, por edhe me shumë histori. Kalaja e Petrelës ndodhet vetëm disa qindra metra larg dhe mund të shihet lirisht nga çdo kënd i Fustanellës. Jo shumë larg, në drejtim të juglindjes, ndodhen Varri Monumental i vendbanimit të lashtë ilir të Persqopit dhe pak më tutje muret e vendbanimit. Bukuritë natyrore janë kudo përreth, si: Shpella e Zezë në fshatin e Pëllumbasit, ujëvara te Syri i Ciklopit në afërsi të Krrabës, më tej Liqeni i Farkës etj, duke e bërë këtë zonë një vend të preferuar për të apasionuarit e historisë, shëtitjeve, sportit, si dhe ushqimit të mirë.