Ferma dhe bujtina Xharshë janë një sipërmarrje e vogël familjare, të krijuara respektivisht në vitin 2004 dhe 2016. Në fakt ferma, (me një sipërfaqe totale prej 5000 m2) ndodhet në Pocestë, një fshat në veriperëndim të Korçës, 7 km larg, ndërsa bujtina në Korçë. Ideja e fermës lindi nga profesioni agronom dhe dëshira e madhe për të mbjellë kultura, të cilat i përshtaten klimës e tokës së zonës, për nevojat personale. Ferma përbëhet nga pemë frutore si: mollë, simbol i Korçës, qershi, dardha, kumbulla, lajthi, bajame, arra, pjeshkë, kajsi, luleshtrydhe, vresht rrushi etj. Kur natyra është bujare, atëherë produktet ose nënproduktet shiten. Edhe perimet e stinës zënë një vend të rëndësishëm në fermë, por përdoren vetëm për përdorim vetjak.
Pas krijimit të bujtinës, lindi ideja për të shoqëruar vizitorët (99% të huaj) te ferma dhe ata të kishin mundësi të preknin jetën fshatare dhe prodhimet e saj. Por jo vetëm: dhe t’u ofrohej një vakt i lehtë në këto ambiente me gatime tradicionale, si lakror në saç dhe prodhimet e stinës (fruta, perime dhe verë/raki prodhuar nga ferma).
Në kodrën e fshatit ndodhet një vendbanim i lashtë ilir, Hija e Korbit, ku është gjetur edhe një thesar me monedha të ndryshme, ku vizitorët mund të ndërthurin ushqimin e mirë me historinë dhe me një ecje relativisht të lehtë. Në brendësi të fshatit ndodhet një tyrbe bektashiane, e cila rrit kureshtjen e vizitorit të huaj. Me përfshirjen edhe të komunitetin, për t’i sensibilizuar ata në punët e tyre bujqësore, kjo zonë do të zhvillohet më tepër, pa humbur traditën dhe duke mbrojtur natyrën me sa më pak trajtim joorganik. Pas trokitjeve të gotave, nuk mungon as kënga tradicionale e zonës, serenata korçare.