Me ndihmën e një arkitekti vendas mori trajtë shtëpia e frymëzuar nga Toskana, në të cilën restoranti dhe kuzhina gjenden në katin përdhe, ndërsa kati i parë përbëhet nga tetë dhoma, një sallë pritjeje e përbashkët dhe një verandë. Hoteli është dekoruar me shije me një përzierje të elementeve modernë dhe klasikë. Korridoret dhe dhomat përmbajnë vepra origjinale arti nga piktorë të talentuar shqiptarë.
Fshati Gjepalaj shtrihet në jug të Shijakut, një qytet i vogël afër Durrësit, i karakterizuar nga blloqet e zakonshme të apartamenteve me tulla të kohës se komunizmit, të përziera me shtëpi tradicionale të vogla familjare. Ndërsa pjesa tjetër e fshatit Gjepalaj shtrihet në majë të një kodre të vogël, restoranti i fermës Gjepali ndodhet në lindje të fshatit, në një lak lumi të rrethuar nga natyra, pa shtëpi të tjera në afërsi të tij. Numri i klientëve dhe i vizitorëve që qëndrojnë për një natë në Agroturizëm Gjepali që prej hapjes së tij në prill të vitit 2019 është befasues, dhe është dëshmi e reputacionit të pronarit.
Restoranti ofron specialitete vendase, të tilla si byreku me qumësht, qofte shtëpie, brinjë viçi të gatuara në furrë, djathë të freskët shtëpie, qengj të pjekur në kos. Recetat janë rafinuar nga vetë Fundim Gjepali, dhe përgatiten nga stafi i tij i kuzhinës, të cilin ai e ka trajnuar me muaj të tërë për të shërbyer mbi170 klientë. Një përzgjedhje verërash kryesisht shqiptare, si dhe disa verëra të zgjedhura italiane janë të ekspozuara në një mur të dedikuar të restorantit dhe mund të shoqërojnë ushqimin tuaj.