Agroturizëm Huqi

Ofrohet shërbim
Restorant

Vendodhja
Shko te harta

Afër
Gjirit të Lalzit, Kepit të Rodonit, Durrësit, Tiranës

Transporti

Nuk ka transport publik; tabela në rrugën kryesore nga autostrada Tiranë-Durrës në drejtim të Gjirit të Lalzit, 800m në një rrugë të mirëmbajtur të paasfaltuar deri në pronë; e përshtatshme për të gjitha makinat.

Akomodimi

7 kabina druri të veçanta, me shtretër dopio, duke filluar nga 50 euro nata.

Çfarë mund të bësh

Udhëtim me varkë në liqenin e vogël; skuqje në skarë në një prej zonave të piknikut, peshkim

Merr me vete

Vera e shtëpisë, një përzierje e teroldego-s me varietetet lokale; mishi i përgatitur në pusin e fermës të transformuar në furrë.



Informacion

Restoranti i Gëzim Huqit vështirë se mund të gjendej në një vend më idilik. Jashtë rrugës kryesore për te Gjiri i Lalzit dhe vetëm gjysmë ore nga kryeqyteti, Tirana, ai ndodhet pikërisht përgjatë bregut të një rezervuari të vogël, i rrethuar nga kodra me tarraca, dhe me pamje deri në Adriatik.

Pas një karriere të suksesshme në ushtri dhe Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa punonte në një pozicion drejtues në një kompani të madhe sigurimesh, Gëzimi ndjeu se po e tërhiqte përsëri toka e të parëve të tij dhe mendoi të ndërtonte në pronën e familjes në një pjesë rurale të Qarkut Durrës, afër fshatit Radë. Ai dhe familja e tij e kishin punuar tokën që zotëronin atje deri në vitin 2015, kështu që në të kishte shumë pemë dhe disa perime të mbjella. Përfundimisht djali i tij Rogerti e frymëzoi atë që të ndryshonte planet, të ngrinte një fermë dhe të hapte një restorant të vogël në pronë.

Me të mbërritur te Agroturizëm Huqi, të bën përshtypje mirëmbajtja deri në detaj e biznesit, pavarësisht madhësisë së tij. Edhe zona e parkimit është e rregulluar këndshëm dhe ka pemë ulliri të shpërndara mes veturave të parkuara. Një shkallë e gjatë të çon nga parkimi në restorant, i cili ndodhet pikërisht në bregun e liqenit të vogël të Huqve, “liqeni i familjes Huqi”. Ndërtesat dhe hapësira për tu ulur e mbuluar me tendë janë të mbuluara me shumë gjelbërim, dhe pas hyrjes në restorant, gjatë verës mund të provoni manaferrat dhe mjedrat e pjekura dhe plot lëng, të cilat shërbejnë si një antipastë e shpejtë para se të uleni.

Ferma është një destinacion i përsosur për familjet. Tavolinat e gjata me stola druri ofrojnë shumë hapësirë për grupe më të mëdha, dhe përveç zonës kryesore të restorantit, ka më shumë tavolina në hapësirat e vogla, të ndara përgjatë bregut të liqenit. Kabinat përmbushin nevojat e atyre që duan një ambient më privat dhe intim, pavarësisht kapacitetit të përgjithshëm të restorantit prej 250 personash. Nën mbikëqyrjen e administrator Selimit, deri në 40 kamerierë dhe stafi i kuzhinës kujdesen për këtë numër vizitorësh, veçanërisht në kohën e pikut gjatë fundjavave. Në mesin e të pesëdhjetave, Selimi u trajnua për administrim ushqimi gjatë komunizmit, duke e pajisur atë me dekada të tëra përvoje, përveç syrit të tij të kujdesshëm për detaje. Ferma dhe restoranti punësojnë punëtorë nga fshatrat përreth, dhe gjetja e stafit të përkushtuar dhe të trajnuar mirë është sfiduese.

Restoranti ofron një shumëllojshmëri pjatash tradicionale, si lakror, djathëra të bërë në shtëpi, përfshirë djathin e kripur të dhisë dhe djathin e njomë të pakripur, të ngjashëm me mozzarella-n; si dhe pulat e fermave lokale të pjekura, të përgatitura në saçin tradicional. I gjithë ushqimi shoqërohet me elegancë nga vera e shtëpisë, një verë e kuqe nga fshati Gosë afër Kavajës. Përzierja e rrushit italian teroldego me varietetet lokale është shumë e shijshme dhe mesatarisht i ëmbël.

Sidoqoftë, specialiteti kryesor i shtëpisë është qengji ose keci i pjekur në një mënyrë me të vërtetë unike. Në fundin e një pusi përafërsisht 3 metra të thellë, të thatë dhe të bërë me tulla, vetëm disa metra larg restorantit vendosen dru zjarri dhe digjen. Kur zjarri shndërrohet në prush, brenda hapësirës varet një enë e madhe metalike me ujë për të krijuar avull, ndërsa tetë deri në dhjetë qengja ose keca, të cilët janë rrjepur, pastruar, përgatitur dhe marinuar paraprakisht në kripë dhe ujë, varen gjithashtu në pus nga lart. Pasi gryka e pusit mbulohet, mishi gatuhet për 3 orë deri sa të bëhet i butë, proces që zakonisht bëhet shumë herët në mëngjes.

Ndërsa presin ushqimin që të vijë, fëmijëve u pëlqen të eksplorojnë kopshtin e restorantit dhe kafshët përreth, ku ka qen, mace, lepuj, pula, rosa dhe mjellma. Parcela kryesore e perimeve është prapa restorantit, ku mund të gjenden domate dhe disa lloje perimesh të tjera. Agroturizëm Huqi kryesisht kultivon pemë frutore dhe arra, si edhe ullinj dhe rrush. Prona është e rrethuar nga vreshta rrushi përgjatë kufijve, ndërsa shpatet e kodrës afër hyrjes dhe kodra e vogël pas restorantit janë të mbuluara me pemët e fermës. Prodhimi është ende larg përmbushjes së kërkesave të restorantit, kështu që prodhimet shtesë blihen nga fshatrat afër.

Në të njëjtën kodër, midis gjelbërimit të shumtë ndodhet akomodimi që ferma ofron për vizitorët. Shtatë kabinat prej druri janë ndërtuar në vitin 2018 me një grant qeveritar, dhe pjesërisht janë të vendosur mbi këmbalecë për shkak të terrenit të pjerrët. Ndërsa projektimi i tyre duket disi futurist nga jashtë, pjesa e brendshme të krijon një ndjesi të ngrohtë, komode dhe mikpritëse, është e pajisur me shtretër dopio, hapësirë të brendshme moderne dhe banja private. Projektimi i tyre i decentralizuar krijon një ndjenjë intimiteti për vizitorët dhe çdo kabinë ofron pamje të shkëlqyeshme të liqenit.

Vizitorët që udhëtojnë me furgona kampingu ose me buxhet te vogël mund të shfrytëzojnë kampin dhe parkun e makinave, i cili është i pajisur me priza elektrike. Furnizimi me ujë dhe pajisjet e tualetit dhe dushit planifikohen të shtohen në të ardhmen e afërt, në mënyrë që qëndrimi për vizitorët në kampe të jetë më i rehatshëm. Për më tepër, planifikohen të ndërtohen më shumë shtëpiza përgjatë bregut në anën tjetër të liqenit për të rritur kapacitetin akomodues në fermë.

Ndërtesa e madhe dhe e hapur matanë liqenit është salla ku organizohen festat. Aty mund të shkohet përmes një kalimi për këmbësorë që është i asfaltuar dhe që ndodhet në majë të digës së rezervuarit, zbukuruar me harqe të gjelbëruara në formë zemre, të cilat ndriçohen me rënien e errësirës. Salla e festave është veçanërisht e zënë gjatë muajve të verës, ku organizohen rregullisht dasma. Po aq të njohura janë dhe vendet e piknikut të pajisura me skarë përgjatë bregut të liqenit, të cilat ferma i jep me qira për familjet që preferojnë të sjellin ushqim me vete dhe të gatuajnë vetë, por që do të dëshironin të shijonin një ambient të bukur. Rekomandohet të bëhet rezervim për këto zona pikniku, veçanërisht gjatë fundjavave.

Aktivitete të tjera në zonën përreth përfshijnë një turne rreth fermës 15 hektarëshe, një shëtitje në kodrat përreth, ose të provoni fatin duke peshkuar në liqen. Një udhëtim me varkë në liqen me një nga varkat me rrema të fermës përbën gjithashtu një aktivitet argëtues gjatë pasditeve, jo vetëm për vizitorët e rinj. Së fundmi, plazhet në afërsi të Gjirit të Lalzit dhe Kepit të Rodonit janë po ashtu udhëtime të shkëlqyera ditore për vizitorët që qëndrojnë më shumë se një natë. Pavarësisht se sa kohë qëndroni, ushqimi i freskët organik dhe ambienti i qetë do t’ju ngelen në kujtesë për një kohë të gjatë.

Më shumë