Agroturizëm Popi

Informacion

Agroturizmi Popi, fillimisht ishte një tokë e pazbuluar midis kodrave, pa rrugë, veçse pyje të dendura. Zoti POPI hapi rrugën, për të patur një fermë me koncept ndryshe nga sa kemi në vendin tonë. Çdo gjë në fermë duke nisur nga liqeni, hapësira dedikuar blegtorisë, bujqësisë, u krijuan nga dora e njeriut që bëri të mundur krijimin e një mrekullie te tillë, e diti t’i shtonte vlera natyrës pa e dëmtuar atë.
Çdo produkt që serviret është organik dhe i trajtuar për të qenë në parametrat e duhur ushqimor. Ushqimi që shërbehet është tradicional i vendit tonë. Perimet e frutat janë të rritura në fermë, por bashkëpunojnë dhe me banorët e zonës, duke siguruar më tepër produkte, si dhe duke i ndihmuar ata ekonomikisht. Blegtoria rritet në pyje, mishi i freskët si : keci, qingji, viçi, gici i butë e gici i egër, por edhe zogjtë e fshatit, patat, rosat, lepujt etj., janë gjithmonë ajo çfarë i karakterizon si agroturizëm, me produkte të kontrolluara dhe cilësore.
Si veprimtari argëtuese në fermë mund të përmendim, shëtitjen dhe vizitën në zonën e blegtorisë së fermës, për të parë lloje të ndryshme të kafshëve e shpendëve që gjenden aty, hipizmin, shëtitjet nëpër pyje, lundrimin me varkë në liqen dhe mundësinë për t’u kredhur në ujin e liqenit. Disa kilometra larg fermës, në zonën e Kepit të Rodonit, gjendet Kalaja e Skënderbeut dhe filiali i Kishës së Shën Ndoit, të cilat janë dëshmi e historisë dhe atraksione turistike mjaft të preferuara nga turistët. Ndjesia që të fal natyra dhe shija e ushqimeve që do t’ju serviren, do të jetë e paharruar dhe një zgjedhje e përhershme.

Për të na kontaktuar shtyp butonin më poshtë: