Baven-Toven Naturae

Informacion

“Baven-Toven” NATURAE ka zanafillë vitin 2018, një sipërmarrje turistike e ngritur me shumë dashuri nga një i ri, i cili pasi përfundoi studimet e larta në Itali e Spanjë, vendosi të kthehej dhe të punonte në vendin e tij. Ai la gjithë jetën e tij profesionale për t’u gjendur pranë nënës dhe gjyshes, që jetonin të vetmuara prej shumë vitesh.
Ky investim u mundësua falë kontributit financiar të djalit të madh të familjes që jeton dhe punon në Itali që në moshën 16 vjeçare. Objektivi i fermës është të ofrohet diçka ndryshe nga çka ofron zona. Kështu Baven-Toven bëhet një realitet i vogël me një risi tradicionale, mikëpritëse, unike. Këtu vizitorët përveç akomodimit, kanë mundësi të ndërveprojnë me natyrën si: hiking (shëtitje në natyrë), vizitë të aseteve arkeologjike, historike dhe kulturore, si p.sh.: Kalaja e Judejve (shek. VI), Piktogramet (4000-3500 vjet para Krishtit), Kisha e Shelbuemit (shek. XII) etj.
Aty do te gjeni eksperiencën unike, që nuk e ndeshni në vende të tjera, do të gjeni ushqim shtëpie ku turistët angazhohen në përgatitjen e ushqimit së bashku me familjen, duke gatuar prodhimet organike të kopshtit, tek i cili e gjithë familja angazhohet të këtë prodhim të mjaftueshëm për mysafirët.
Tregohet një kujdes i veçantë që vizitorët të njihen me kulturën e vendit, në mënyrë të veçantë me doket dhe zakonet veriore. Po ashtu ofrohen hapësira, ku pushuesit mund të bëjnë kamping me çadrat e tyre ose sipas nevojës, me çadrat e Baven-Toven Naturae. Në këtë vend piktoresk, mes maleve, do të gjeni pesë shtëpiza akomoduese prej druri.
Nëse doni të shijoni një eksperiencë unike, mund të jeni atje të shtunën e parë të qershorit, ku organizohet ngjitja në Malin e Velës (1127m).
Ndër planet e afërta është dhe organizimi i Festës së Gështenjës dhe kërpudhave, me shpresën që kjo të bëhet traditë e përvitshme e “Baven-Toven”.
Nëse jeni kurioz të dini se çfarë fshihet pas emrit Baven-Toven NATURAE, ju mirëpresim së shpejti!

Më shumë