Bonum

Vendodhja
Shko te harta

Afër
Tiranë



Informacion

“Bonum” është fermë e ngritur nga dëshira për të ofruar produkte që ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien e konsumatorëve. Ferma është e orientuar drejt prodhimit të qumështit të dhisë dhe nënprodukteve të tij, me perspektivë zgjerimin e portofolit të produkteve, duke ju ofruar konsumatorëve alternativa të shëndetshme.
Ferma “Bonum” u krijua në vitin 2015, ndërkohë marka “Bonum” u komerçializua në vitin 2020. Gjatë këtyre viteve u punua për të siguruar kapacitetet prodhuese, si dhe për të arritur standardin premium të të gjitha produkteve.
Bonum është një ndër fermat më të mëdha në vend për mbarështimin e dhive, si dhe një furnizues i qumështit të dhisë për kompani të tjera që operojnë në Shqipëri.
Veçantia e bulmetit Bonum është tek prodhimi “çdo gjë brenda fermës”, me cikël të plotë, që nga ushqimi i dhive, deri te produkti final.
Kjo mundëson kontrollin mbi të gjithë zinxhirin ushqimor, si edhe ruajtjen e standardit që synohet. Te “Bonum” nuk do të gjeni thjesht një fermë, por edhe dimensionin e agroturizmit. Eksperienca Bonum ofron një tërësi aktivitetesh rekreacioni, që kanë në qendër kecat dhe dhitë e fermës. Eksperienca fillon nga stalla e jashtme e dhive, ku të gjithë do të kenë mundësinë t’u afrohen, t’i vizitojnë dhe t’i “përkëdhelin”, pasi synohet që ato të jenë në harmoni me vizitorët dhe mjedisin rrethues. Eksperienca vazhdon me tej, te këndi i lojërave për kecat e vegjël, që është ndërtuar posaçërisht për fëmijët, që ata të njohin dhe të kenë mundësi argëtimin me kecat. Nëse fëmijëve u pëlqejnë shumë kecat dhe krijojnë një lidhje me ta, atëherë ata do të kenë mundësi dhe t’i “adoptojnë” me një program të zhvilluar enkas. Atyre do t’u jepet mundësia t’i vendosin një emër, t’i ushqejnë, t’i përkëdhelin dhe të kalojnë kohë për të krijuar një afrimitet dhe edukim. Përveç kësaj, në eksperiencën Bonum, të rritur e të vegjël do të mund të shijojnë një gatim të mrekullueshëm organik, me gjithçka është mbjellë e prodhuar në fermë.

Më shumë