Bujtina Peshtan (Guesthouse & Camping Peshtan) ndodhet në fshatin turistik Peshtan të qytetit të Tepelenës, me një distancë prej 3.9 kilometra nga Ura e Dragotit dhe 29 kilometra nga qyteti i Permetit. Bujtina gjendet rrëzë malit të Golikut, i cili është pjesë e vargmalit të Lunxhërisë.
Ndodhet përballë malit të Trebeshinës dhe përshkrohet nga lumi Vjosa. Bujtina ofron akomodim (akomodim në bujtinë dhe kamping), ushqim tradicional për turistët vendas dhe të huaj si dhe dreka të paketuar përgjatë tureve sipas kërkesave. Gjithashtu ofrohen ture të nivelit mesatar të ecjes në zonën përreth fshatit duke vizituar disa nga atraksionet që kjo zonë ka, ku përmendim: kanionet e Zagorisë, lumi Vjosa, mali i Golikut, ujësjellësi i Ali Pashë Tepelenës, ura e Kalasë monument kulture i kategorisë së I-rë., shtegu i Zagorisw (Limar – Doshnicë-Hoshtevë-Sheper) etj.
Në bujtinë gjendet edhe një koleksion i bimëve medicinale që zona ofron si dhe një muze historik i Luftës së Dytë Botërore, me objekte të cilat i përkasin luftës italo-greke dhe që janë koleksionuar gjatë ekspeditave në malin e Golikut nga të zotët e bujtinës. Fshati ka qenë një nga frontet më të egra gjatë luftës italo-greke dhe gjurmë të kësaj lufte gjenden ende ditët e sotme.