Fustanella Farm

Vendodhja
Shko te harta

Afër
Tiranë

Na kontaktoni

+355692607608
[email protected]
https://fustanella-farm.business.site/?utm_source=gmb&utm_medium=referral



Informacion

Fustanella Farm është ideuar para tre vitesh, nisur nga panorama që të linte pa frymë, në vendin ku ndodhet dhe sot. Ajo u konkretizua në një ndërmarrje të re agroturizmi, në lagjen Zaranik të Petrelës. Fustanella është e përbërë nga një bujtinë e vogël me tri dhoma, ferma bujqësore dhe një restorant organik që funksionon sipas parimit “nga ara, drejt në tryezë.” Bujtina është ende e papërfunduar. Ka tri dhoma të mrekullueshme në katin e dytë dhe secila prej tyre do të ketë kapacitetin të akomodojë dy deri në tre persona, sipas dëshirave të pushuesve. Ferma prodhon një gamë të gjerë perimesh, në përgjithësi kultura vendase, por dhe kultura të reja që kanë hyrë në vendin tonë vitet e fundit. Restoranti ofron kuzhinë mesdhetare dhe ballkanase, duke ndjekur dhe riinterpretuar receta tradicionale të gatuara për shekuj me radhë në vatrat e shtëpive, ku vishej dhe ende vishet fustanella. Menuja është stinore dhe e bazuar drejtpërdrejt në prodhimet e parcelave që rrethojnë restorantin dhe bujtinën. Prodhimet e mishit sigurohen në ferma të tjera të ngjashme, që kanë përparësi blegtorinë. Mendohet së shpejti të ngrihet një pulari dhe një stallë të vogël. Gatimet janë të shoqëruara nga disa varietete të zgjedhura verërash dhe distilatesh, kryesisht vendase, lëngje të freskëta të frutave, komposto të bëra vetë dhe çajëra organikë. Gatimet bëhen vetëm me prodhime të freskëta stinore, të kthyera në një menu ditore ose javore, me specialitete shqiptare, greke, arbëreshe, të cilat kombinohen me meze të stinës, shumë të dashura për ballkanasit e jugut. Në shtator të vitit 2019, zonja arbëreshe Luçia Martino, nga qyteti Frashnitë i Kalabrisë, njëkohësisht dhe Ambasadore e kuzhinës kalabro-arbëreshe në Shqipëri, solli përvojën e saj me “pjatat arbëreshe”. Para hapjes së restorantit, prodhimet shiteshin në biznese të tjera, në shitoret e ndryshme organike, por edhe nëpër shtëpira. Tani përdoren kryesisht për kuzhinën e restorantit. Te “Fustanella” thuhet: “Bujqit tanë janë kuzhinierët më të mirë në botë.” Puna e këtyre njerëzve është vërtet e admirueshme, si z.Kujtim Shera, agronomi i cili ngriti një grup pune për bujqësinë, instaloi sistemin ujitës me pika dhe krijoi fermën. Aktualisht po përsoset sektori e magazinimit të prodhimeve dhe konservimit të tyre, si dhe shitorja, ku vizitorët ose kalimtarët kanë mundësi të blenë prodhime të freskëta ose konservat e kësaj ferme. Në të ardhmen do të ndërtohet edhe një serrë, gjithashtu organike. Ferma Fustanella, me mentor prof. Andrea Shundin dhe z. Kujtim Sherën, aspiron që së shpejti të bëhet anëtare zyrtare e Slow Food International. Objektivi i fermës është që të jetë 100% organike, pa përdorur asnjë pesticid dhe asnjë lloj kimikati, përveç plehrave dhe mbrojtësve organikë. Ferma Fustanella është e rrethuar me bukuri natyrore, por edhe me shumë histori. Kalaja e Petrelës ndodhet vetëm disa qindra metra larg dhe mund të shihet lirisht nga çdo kënd i Fustanellës. Jo shumë larg, në drejtim të juglindjes, ndodhen Varri Monumental i vendbanimit të lashtë ilir të Persqopit dhe pak më tutje muret e vendbanimit. Bukuritë natyrore janë kudo përreth, si: Shpella e Zezë në fshatin e Pëllumbasit, ujëvara te Syri i Ciklopit në afërsi të Krrabës, më tej Liqeni i Farkës etj, duke e bërë këtë zonë një vend të preferuar për të apasionuarit e historisë, shëtitjeve, sportit, si dhe ushqimit të mirë.

Më shumë