Restoranti i Tomorr Ismailajt dhe vëllezërve të tij shtrihet anash rrugës nacionale SH72 që të çon në veri të Beratit, në fshatin Poshnjë.
Arkitektura e restorantit shpreh fuqinë dhe qëndrueshmërinë e kështjellave antike ilire dhe romake prej guri, të planifikuara për t’i rezistuar kohës. Ndonëse në një mjedis industrial, pikërisht në rrugë, Kështjella ofron ushqim tradicional me porcione të mëdha, me cilësi të mirë dhe çmime të ulëta krahasuar me tregun. Me menunë e larmishme të mishit të pjekur të freskët dhe prodhimet tradicionale për mëngjesin dhe drekën, ai është shumë i njohur për vendasit dhe vizitorët. Restoranti mban deri në 700 mysafirë në të tri katet, përveç sallës së madhe të dasmave, e cila përdoret shpesh për festat e ditëlindjeve të fëmijëve dhe muzikë “live”.
Përveç restorantit dhe hotelit, familja zotëron një fermë të madhe, rreth 5 minuta larg me makinë. Në fermë mbarështohen 40 lopë, 40 viça dhe rreth 80-100 derra dhe derrkucë, përfshirë derra të egër, të kapura në kodrat aty pranë e që mbahen në stalla betoni me ndarje të vogla. Në pronën e fermës gjenden edhe rosa, pula, pata, dele, dhi dhe një gomar. Kafshët, për të cilat kujdesen katër punëtorë, mbahen për të furnizuar restorantin me mish dhe qumësht. Pak më poshtë rrugës së pistës gjenden dy hektarë serra të fermës, ku me ndihmën e 15-20 punëtorëve prodhohen domate për eksport, për Europën Qendrore dhe Veriore, përfshirë Gjermaninë, Suedinë, Danimarkën dhe Rusinë.