Asnjë botim mbi fermat e agroturizmit shqiptar nuk do të ishte i plotë pa përmendur Mrizin e Zanave. Emblema e agroturizmit shqiptar është ide fantastike e shefit të kuzhinës Altin Prenga, i cili ngriti restorantin dhe fermën aty ngjitur në fshatin Fishtë në veri të Shqipërisë.
Kur Mrizi i Zanave hap dyert, më saktësisht në orën 12 për vizitorët e drekës, një ushtri e tërë stafi del nga kuzhina për të prezantuar personalisht menunë (pasi asgjë nuk është e shkruar), për të marrë porosi dhe për të sjellë pjatë pas pjate antipasta të ndryshme, pjata kryesore të gatuara me kujdes dhe ëmbëlsira fantastike. Restoranti është anëtar i International Slow Food Convivium, dhe përqendrohet te gatimet rajonale dhe variacionet sezonale, kështu që menuja përshtatet vazhdimisht gjatë gjithë vitit. Në varësi të sezonit, pjatat e para mund të përfshijnë domate të thata, lloje të ndryshme të perimeve turshi si bamje ose patëllxhanë, ullinj, mish të thatë, salsiçe, pjata me djathëra të ndryshëm të bëra në shtëpi të shoqëruara me shurup me aromë pishash, byrek, lule kungulli të skuqura fort dhe perime të pjekura në skarë. Ushqimi nuk është vetëm me shumë shije, por edhe prezantohet bukur dhe me finesë. Në përgjithësi, këtu gjen gatimet tradicionale dhe të njohura shqiptare me një prekje moderne. Stafi i kuzhinës përbëhet si nga gra të zonës ashtu edhe kuzhinierë profesionistë të trajnuar, shpesh edhe në nivele ndërkombëtare.
E fundit, por jo nga rëndësia, familja Prenga i ka dhënë një prekje bashkëkohore një pjese tjetër të traditës dhe historisë së familjes. Shtëpia e vjetër prej guri e ndodhur në pikën më të lartë të fermës, e cila dikur i përkiste gjyshit të Altinit, u restaurua në vitin 2018 nga familja dhe u shndërrua në bujtinë. Një qoshe e rrënuar e ndërtesës është kthyer në mënyrë krijuese në një dritare xhami nga dyshemeja në tavan, duke krijuar një kombinim tërheqës të elementeve tradicionalë prej guri dhe druri me materialet modernë, si brenda ashtu edhe jashtë. Dhomat janë fshatarake dhe të rehatshme, me tualete elegante, me panele prej xhami që bëjnë kontrast, dhe të zbukuruara duke i kushtuar shumë vëmendje detajeve.
Është ky kombinim i traditës dhe modernes, vëmendja ndaj detajeve dhe përvoja unike që e bën Mrizin e Zanave një vend me të vërtetë të veçantë si për vizitorët vendas ashtu dhe të huaj.