Nari Lundra

Ofrohet shërbim
Restoranti, ferma, vreshtat

Vendodhja
Shko te harta

Afër
Qyteti i Tiranës, TEG

Transporti

Me makinë: merrni autostradën e unazës për në TEG, ndiqni tabelat për tek Nari Lundra, rruga me asfalt deri në fund.
Me transport publik, nga qendra e Tiranës autobusi i rregullt TEG ju sjell vetëm
15-minuta larg në këmbë nga restoranti. Nga TEG-u, duke ndjekur shenjat, kaloni kompleksin e vilave dhe merrni “Rrugën e Vilave” në të majtë, dhe ecni përpjetë deri sa të arrini në restorant.

Akomodimi

11 dhoma teke / dopjo do të hapen së shpejti

Çfarë mund të bësh

Të sodisësh pamjet e kodrave të gjelbra deri në malin e Dajtit dhe Petrelën nga maja e kullës, ecje në vreshtë, të ushqesh dhitë.

Merr me vete

Djathë i freskët dhie

Informacion

Restoranti i z. Ardian Tufa, i njohur nga miqtë dhe klientët e tij si Nari, ndodhet vetëm 20 minuta me makinë jashtë Tiranës. Kur lë qendrën tregtare TEG dhe një varg kompleksesh me vila prapa, zona bëhet menjëherë më rurale dhe disa metra më tej, duke hyrë në fshatin Lundër, të bie në sy ndërtesa me kullën e vogël ikonike në majë, që ngjan me një kështjellë.

Nari Lundra ka prapa një histori mbi 25-vjeçare, megjithëse fillimet kanë qenë shumë më modeste sesa mund të tregojë kopshti i mirëmbajtur me lule, ndërtesa e madhe 4-katëshe e restorantit dhe hoteli i sotëm. Gjithçka filloi në vitin 1992 kur Ardiani, pjesë e një klani të madh familjar, pronar i shumë tokave rreth Lundrës, vendosi të fillojë prodhimin e verës dhe të rakisë, duke furnizuar baret dhe restorantet e zonës. Me idenë e tij të biznesit, ai ndërtoi historinë e prodhimit të verës në Lundër, e cila dikur ishte e rrethuar nga vreshta gjatë periudhës së komunizmit. Megjithëse ato ranë viktimë e zemërimit të popullatës kundër çdo prone shtetërore pas rënies së regjimit dhe u shkatërruan në një masë të madhe, familja Tufa e vazhdoi traditën.

Ardiani filloi t’iu shiste verën klientëve dhe hapi një dyqan të vogël për ta ofruar verën, shoqëruar me meze të vogla. Në vitin 1994 ambienti u shndërrua në një restorant modern dykatësh, nga i cili tani ka mbetur vetëm kati i parë, që shërben si ambient për evente private, ndërsa ndërtesa kryesore aktuale filloi të përdorej në vitin 2007 Ajo u zgjerua nga dita në ditë dhe arriti në formën që është sot. Megjithatë, ndërsa restoranti është rritur ndjeshëm gjatë gjithë këtyre viteve, ai arriti t’i qëndronte besnik origjinës dhe klientëve të tij të rregullt.

Nari Lundra është në thelb një restorant familjar dhe klientët e përhershëm të saj që janë rritur duke kaluar fundjavat në këtë restorant, vijnë sërish, tanimë me fëmijët e tyre. Nuk është për t’u habitur që ambienti prej 130 tryezash, që shtrihen në një hapësirë të madhe të brendshme me dritë, si dhe në oborrin e resorantit, mund t’u shërbejë lehtësisht një mijë vizitorëve gjatë një fundjave. Për të shmangur dyndjen dhe kohën e pritjes, më mirë vizitojeni gjatë ditëve të javës.

Për t’u kujdesur për mysafirët e tij, “Nari Lundra” ka punësuar mbi 40 persona nga zona, ku shumë prej tyre kanë mbi 15 vjet që punojnë në këtë restorant. Menaxheri i përgjithshëm i resorantit, z. Endrit Gidaja, i diplomuar për biznes hotelerie, ka sjellë një përvojë të pasur në kohën kur ka filluar të punojë këtu në vitin 2015, pas përvojës së tij të mëparshme në një hotel prestigjioz. Ai është gjithashtu i ngarkuar me trajnimin e stafit dhe në këtë mënyrë, “me rritjen e familjes”, ndërkohë që restoranti rrit kapacitetin.

Së bashku me restorantin, edhe menuja është rritur me kalimin e kohës, kryesisht duke shtuar pjata të kërkuara nga klientët besnikë, kështu që në ditët e sotme restoranti ofron pak nga gjithçka. Ai përfshin ushqim tradicional, si byrek dhe kec ose qengj të pjekur, mish pule me qull (me miell misri), tava të ndryshme tradicionale, qofte me mish, speca dhe patëllxhanë të mbushur ose patëllxhanë të pjekur në skarë, por gjithashtu përmban edhe pjata ndërkombëtare, të tilla si: pasta, rizoto, pica, antipasta, sallatë caprese etj.

Ushqimi që ofrohet nga restoranti në pjatën tuaj është i freskët, ku vaji i ullirit, produktet e bulmetit, mishi dhe perimet janë të prodhuara në fermë, por dhe nga bashkëpunimi me fermerët e zonës, jo larg resorantit. Ferma, ku mbahen rreth 100-150 pula, rreth 140 dhi alpine franceze, si dhe rosa e pata, ndodhet vetëm 1.5 kilometra larg restorantit. Në vitin 2016, një grant i marrë ndihmoi për zgjerimin e stallave dhe investime në pajisje të reja të mjeljes. Në punishten e fermës sot prodhohet djathë, salcë kosi, dhallë dhe produkte të tjera nga qumështi i dhisë, sipas kërkesave të restorantit. Në të ardhmen, kapaciteti i punishtes supozohet të rritet më tej, në mënyrë që të prodhojë djathë në sasi më të medha, për ta shitur në një hapësirë të dedikuar brenda territoreve të restorantit , një “minifarm market”, në mënyrë që klientët të blejnë djathë, gjizë e produkte të tjera oganike të zonës për në shtëpi.

Prapa fermës, në kodrat e harkuara drejt lindjes, shtrihen vreshtat e familjes Tufa. Ndërsa shumica e rrushit të rritur në sipërfaqen prej 20 hektarësh përdoret nga kantina e familjes Tufa, e drejtuar nga vëllezërit dhe kushërinjtë e Ardianit, për prodhimin e verës në shishe, Ardiani prodhon verën e tij të hapur “Kabernet” dhe varietetet “Merlot” për restorantin, si dhe rrushin lokal “shesh” dhe “muskat”, për prodhimin e rakisë. Pak më tej, në majë të një kodre të vogël, shtrihen ullishtat familjare, të përbëra nga 2100 pemë ulliri të mbjella në më shumë se 7 hektarë tokë, duke prodhuar 120 kuintalë vaj ulliri në vit, i cili shkon në shërbim të restorantit.

Disa kilometra larg restorantit ndodhet ferma, e cila nuk është e dukshme për klientët e restorantit. Prandaj menaxher Endriti dëshiron ta ndryshojë këtë situatë. Ai dëshiron ta bëjë të aksesueshme rrugën drejt vreshtave dhe ullishtave, të organizojë vizita në punishten e bulmetit, në vreshta e në pemishte për vizitorët e interesuar, të shoqëruar nga specialistë të fermës.

Tani për tani, zona e jashtme e restorantit, me gjelbërimin e bollshëm të fton të relaksohesh, ndërsa dy këndet e lojërave të fëmijëve, një papagall i quajtur Toto dhe disa mace që enden nëpër pronë, sigurojnë argëtim për mysafirët e vegjël. Së shpejti vizitorët do të mund të kalojnë natën aty, sepse jane duke perfunduar punimet e ndërtimit të ri, invenstim i vitit 2020. Njëmbëdhjetë dhoma me pamje nga kodrat e fshatit, në një projektim elegant dhe modern janë tashmë të mobiluara dhe të gatshme për të pritur mysafirë. Ndërsa 10 të tjera janë ende në fazën e planifikimit. Gjithashtu në ndërtim e sipër është një hapësirë e re restoranti në katin e parë, ku hapësira të bollshme do të ofrojnë përvoja më private, me tavolina më të distancuara nga njëra-tjetra.

Me siguri, edhe pas kësaj faze përmirësimesh në restorantin e tij, z. Ardian Tufa dhe ekipi i “Nari Lundrës” do të vijnë gjithmonë me ide të reja bashkëkohore për klientët dhe dashamirësit. Pas 25 vitesh të suksesshme biznesi (edhe më shumë), restoranti duket i gatshëm për të tërhequr brezin e ardhshëm të klientëve të rregullt.

Read More