Turi i Midhjeve ofron një aventurë të paharrueshme nëpër ujërat e mrekullueshëm të Shqipërisë, ku mund të vizitoni dhe të shijoni midhje të freskëta të cilësisë më të lartë. Gjatë turit, vizitorët mund të udhëtojnë me barkë në ujërat e pastra dhe të eksplorojnë zonat e peshkimit, duke mësuar rreth mënyrës tradicionale të mbledhjes dhe kultivimit të midhjeve.
Turi ynë nis nga porti i Butrintit/Ksamilit, ku lundrojmë përmes kanalit të Vivarit dhe futemi në liqen. Gjatë lundrimit, pamja e kalasë trekëndore shfaqet mahnitëse nga ana e djathtë, ndërsa nga e majta dominon kulla veneciane. Një moment i veçantë është lundrimi përmes portave të peshkimit, dajlanet sic njihen në gjuhën e peshkatarëve. Pas kalimit të këtyre porteve, drejtohemi për në Portën Skea, ashtu siç bëri edhe hero i Trojës, Eneua, para 2000 vitesh. Ai ndaloi për një pushim të shkurtër në këto troje para se të vazhdonte udhëtimin e tij drejt themelimit të Romës.
Duke vazhduar përtej, shohim strukturat e fermave të midhjes në liqen dhe lundrojmë drejt tyre, ku ndalojmë varkën. Aty kemi mundësinë të shohim nga afër kultivimin e midhjeve, të mësojmë për metodat e kultivimit dhe, si një kujtim nga ky tur, marrim disa midhje me vete. Më pas, vazhdojmë lundrimin drejt Kalivuas, një tjetër vend me rëndësi historike të Butrintit. Kalivua, e njohur si “shtëpia e pasanikut”, ishte vendpushimi i Atticus-it, mikut të famshëm të Ciceronit. Gjatë udhëtimit drejt Kalivuas, veshim dorashka dhe ndajmë midhjet që kemi mbledhur, duke kaluar 15 minuta pune, lundrim dhe meditimi në natyrë.
Pasi arrijmë në molin e Kalivuas, jemi gati për të shijuar një drekë të mrekullueshme në natyrën e qetë dhe relaksuese të bregut, të rrethuar nga shelgje. Gjatë drekës, do të shijojmë tre lloje gatimi me midhje, perime të freskëta, bukë të sapo dalë nga furra më e njohur e Xarre, si dhe verë të bardhë dhe ujë për secilin. Kjo shije autentike e tokës sonë do t’ju shërbehet me dashuri nga familja e Lulos. Pas një dite të paharrueshme, kthehemi në portin e Butrintit/Ksamilit.
@2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara