Agroturizëm Nëna Dashuri

Ofrohet shërbim
Bujqësi, përpunim ushqimor

Vendodhja
Shko te harta

Afër
Peshkopia, vargmalet e Korabit, kufiri me Maqedoninë

Transporti

Gjendet lehtë me makinë, ngjitur me rrugën kombëtare SH6, rreth 3 km/7 minuta nga qendra e Peshkopisë në drejtim të jugut.
Ka transport publik ndërqytetas për në Peshkopi nga qytetet e tjera të mëdha. Nga Peshkopia mund të shkohet me taksi tek Agroturizëm Zerja.

Akomodimi

8 dhoma, dhoma dyshe/ treshe/ familjare; nga 25€/nata; është i mundur edhe kampimi në pemishte.

Çfarë mund të bësh

Ecje në natyrë, me shtigje të përshtatshme për të gjitha nivelet e stërvitjes. Hartat dhe informacione të tjera janë të disponueshme në hotel për planifikimin e udhëtimeve. Fabioni mund të organizojë një guidë lokale. Llixhat termale të Peshkopisë.

Merr me vete

Kumbulla të thara, një kavanoz me komposto qershie ose kumbullash, erëza të thara, një
shishe me raki kumbulle/rrushi/molle, një çantë me jufka dhe produkte të tjera që mund të gjeni në dyqanin në katin përdhes.

Informacion

Qarku i Dibrës, në kufi me Maqedoninë, shpesh neglizhohet nga turistët dhe vizitorët. Edhe pse i zhytur në veriperëndim të vendit, larg nga pikat kryesore turistike të Shqipërisë dhe deri tani, i vështirë për t’u arritur me rrugë, zona ka shumë për t’i ofruar vizitorit aventurier. Traditat e pasura bujqësore janë ende të gjalla në fshatrat përreth dhe një shembull i shkëlqyer është Agroturizëm Nëna Dashuri, i pozicionuar pikërisht jashtë qytetit të vogël të Peshkopisë, i cili shërben si pikë referimi për gjithë zonën.

Një ndërtesë trekatëshe në stilin tradicional, buzë rrugës kryesore, në më pak se 10 minuta larg me makinë në jug të Peshkopisë tregon se ke mbërritur në destinacion. Me të mbërritur, ferma nuk duhet ngatërruar me Restorantin Zerja ngjitur, i cili gjendet në një kompleks ndërtesash moderne që aktualisht po zgjaten dhe që i përket një të afërmi. Përkundrazi, Agroturizëm Nëna Dashuri ka një fasadë të zbardhur me ballkone prej druri dhe një ndërtim prej guri në katin përdhes, ku e kanë zanafillën fillimet e biznesit familjar.

Pikërisht këtu, në punishten e tij, në vitin 2008 z. Fatos Zerja filloi prodhimin dhe shitjen e trahanasë, e cila bëhet nga brumë i thartuar me miell dhe kos, si dhe jufka, makarona tradicionale të zonës. Të dyja janë ushqime tradicionale kryesore në një zonë ku dimri është i gjatë dhe i ftohtë. Edhe pse kjo sipërmarrje nisi fillimisht si një biznes anësor për të sjellë disa të ardhura shtesë për familjen, përqendrimi te cilësia dhe metodat tradicionale të prodhimit, shumë shpejt i bëri “jufka e tyre” të njohur në të gjithë zonën dhe më gjerë. Me kalimin e kohës, u shtuan edhe produkte të tjera dhe Fatosi me familjen e tij filluan të shisnin lloje të ndryshme reçelërash, kompostosh, si dhe turshi dhe lëngje në dyqanin e vogël ngjitur.

Vendimi për ta zgjeruar biznesin me një restorant dhe bujtinë erdhi në vitin 2018, kur kryeministri Rama vizitoi punishten, pa potencialin e vendit dhe inkurajoi krijimin e një vendqëndrimi në fermë dhe të një restoranti. Gjatë një viti e gjysmë dhe me ndihmën e një granti qeveritar, ky vizion u zbatua më pas nga brezi i ri i familjes Zerja, nga djali i Fatosit, Fabioni, që kryesonte rrugëtimin. Ndërsa formimi i tij është në inxhinieri gjeoinformatike, Fabioni ka zhvilluar një pasion për turizmin ndërsa kryente stazhin në Qendrën Informative të Turizmit në Peshkopi dhe përdori aftësitë dhe përvojën e tij të fituar rishtas për ta ndihmuar Agroturizëm Nëna Dashuri të bëhej realitet. Me pasionin e tij për arkitekturën, ai mbikëqyri punimet e ndërtimit dhe duke i kushtuar shumë vëmendje detajeve, u sigurua që zgjerimi i përfunduar i aktivitetit të ishte sa më pranë të mundej stilit tradicional të zonës.

Sot, ai menaxhon hotelin dhe restorantin e drejtuar nga familja, i mbështetur nga motra e tij e madhe Arjana, e cila është përgjegjëse për reklamimin e biznesit në internet dhe në mediat sociale, si dhe për çdo gjë që lidhet me dizajnin, dhe vëllai e tij i vogël Albini, i cili drejton stafin e shërbimit. Nga ana tjetër, kuzhina e restorantit drejtohet nga gruaja e Fatosit, Dashuria, e cila nxjerr pjatat më të shijshme dhe më të paraqitshme që ofrohen në këtë zonë.

Ndërsa menuja e restorantit përmban një shumëllojshmëri të gjerë produktesh, duke filluar nga kotoleta, mishi i qengjit, viçi i pjekur në furrë, bifteku dhe mëlçitë, deri te flija dhe byreku i bërë në shtëpi, specialiteti i shtëpisë është jo për çudi, një racion mish pule me jufka. Për të provuar gjithçka, pjata e mirëseardhjes jashtë menusë e sugjeruar nga stafi i pritjes, me një shumëllojshmëri produktesh të ndryshme është gjithashtu një zgjedhje e shkëlqyer. Në ambientin e rehatshëm të restorantit, i zbukuruar me të gjitha llojet e artikujve etnografikë, përfshirë edhe një sofër tradicionale të stilit osman pranë oxhakut, instrumente muzikore, një djep prej druri për fëmijë, poçeri dhe enë kuzhine dhe me pamje nga malet përreth, përmes një dritareje të madhe prej druri, çdo vakt këtu është i destinuar të lërë një përshtypje që zgjat.

Në katin sipër restorantit, korridoret dhe dhomat e hotelit (në katin e dytë) përcjellin një ekuilibër të këndshëm midis modernes dhe tradicionales. Dyshemeja prej druri është e frymëzuar nga dyshemeja e zakonshme e shtëpive private në zonë, ndërsa qilimat dhe jastëkët me ngjyra i japin korridorit një ndjesi komode. Tetë dhomat e thjeshta kanë mobilie prej druri, shtretër të rehatshëm dhe disa detaje të bukura dekorative. Për vetë rëndësinë e prodhimit të jufkës për familjen, si dhe aromën e ëmbël prej brumi që shpërndahet nëpër shtëpi nga punishtja e katit të parë, në një tabelë prej druri është shkruar emri i hotelit mbi hyrjen e ndërtesës, “Bujtina e Jufkave”.

Por, udhëtimi prej 4 orësh nga Tirana përgjatë rrugës piktoreske me shumë kthesa, ia vlen jo vetëm për ushqimin që ofrohet në Agroturizëm Nëna Dashuri . Ky udhëtim do të shkurtohet ndjeshëm sapo të përfundojë autostrada e re e Arbërit që lidh kryeqytetin me Dibrën në vitin 2022. Pasi të keni shkuar në këtë cep relativisht të largët të vendit, patjetër që ia vlen të qëndroni për disa ditë për të eksploruar vendet përreth.

Në zonë ka shumë shtigje, të përshtatshme për të gjitha nivelet e stërvitjes, të cilat gjenden brenda një distance të shkurtër me hotelin, duke përfshirë shëtitje të shkurtra në shpellën dhe ujëvarën e Sopanikës dhe grykën e Setas pranë Arrasit, fshatin Rabdisht me shtëpitë e tij të vjetra prej guri ende të paprekura, ose kullotat Hinoska. Për alpinistët më me përvojë, Peshkopia është një pikë e shkëlqyer hyrëse për të ecur në shtigjet e maleve të larta, ose për të bërë një udhëtim treditor në majën e malit Korab, malit më të lartë të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Për një qëndrim më të relaksuar, vizitorët mund të eksplorojnë qytetin e qetë të Peshkopisë dhe llixhat aty pranë.

Por edhe rreth fermës ka shumë për të eksploruar. Vizitorët e interesuar janë të mirëpritur të shohin ambientet e përpunimit, ku familja dhe tre punëtorë të tjerë prodhojnë rreth 200 kilogramë jufka në ditë. Mielli, qumështi dhe vezët përzihen për të përgatitur brumin, hapen në petë, thahen dhe priten, para se të thahen plotësisht për një javë e më pas paketohen.

Mbrapa ndërtesës së hotelit, gjendet një oaz i qetë me 2 hektarë pemishte dhe kopshte me perime, i cili të fton përgjatë pemëve të lajthive, mollëve, ftonjve, dardhave dhe kumbullës, ndërsa plantacioni pak më tej ka pemë qershie dhe gështenje. Brokoli, specat, domatet, patatet, qepët e freskëta dhe një larmi zarzavatesh me gjethe dhe marule mbushin tokën e rrethuar me gardh.

Në mënyrë që vizitorët të shijojnë gjelbërimin përreth, Fabioni po planifikon të krijojë së shpejti një ambient me disa vende për t’u ulur midis pemishteve. Ai gjithashtu dëshiron të mbarështojë kafshë të ndryshme në fermë. Duke parë Agroturizëm Nëna Dashuri sot, pasi ka filluar punën vetëm gjysmë viti më parë dhe duke parë se sa shumë ka për të ofruar ferma, hoteli dhe restoranti, është e qartë se Fabioni dhe familja e tij do të sigurohen që mysafirët e tyre të marrin më të mirën nga “përvoja tradicionale e Dibrës”.

Read More