Ferma Deliu

Vendodhja
Shko te harta

Afër
Krrabë

Informacion

Nisur nga përvoja në sektorin e turizmit, shtëpinë e prindërve në fshat e përshtatën për turizëm familjar. Kështu nisi historia e kësaj ferme. Shtëpia pritëse ofron dy dhoma për fjetje. Produktet ushqimore që serviren janë të gjitha të kopshtit, por edhe të fshatarëve të zonës, duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik të fshatit dhe duke konsumuar prodhime vendi. Gatimet janë të gjitha tradicionale. Nga pemët e kopshtit, prodhohet reçel, komposto dhe lëngje naturale frutash. Prodhime tipike që iu serviren zakonisht turistave janë: lakrori me hithra, lakrori me presh, lakrori me bimë të egra (në pranverë, me rreth 12 lloje bimësh), pulë me oriz, tavë elbasani, qullë pule etj. Afër fermës ka 5 liqene të madhësive të ndryshme, të cilat gjenden në distanca nga 1- 4 km larg fermës dhe dy shpella karstike, që përbëjnë një atraksion të veçantë. Për të apasionuarit e ecjes në natyrë ka disa shtigje interesante, ku ndërthuret ecja në pyll me pisha, me dushk, ah dhe me gështenja. Përveç festës së përvitshme të organizuar nga Bashkia Elbasan “Funar Bio Fest”, në ambientet e restorantit organizohen dhe festa për turistë, me muzikantët e zonës dhe muzikë folklorike. Gjithashtu organizohen aktivitete për fëmijë, kryesisht mbi rëndësinë që ka mbrojtja e natyrës dhe mbajtja pastër e saj. Kamping, si të jetojmë në fshat, si dhe shëtitjet me biçikleta, me kuaj, peshkim në liqen dhe atelie gatimi, janë aktivitete që nuk mungojnë në këtë fermë. Zona ku shtrihet ferma, rreth 25 km larg qytetit të Elbasanit, në fshatin Mollagjesh, ka një qetësi dhe bukuri, e shoqëruar me cicërimat dhe këngët e zogjve, elemente që shtojnë më tepër bukurinë e qëndrimit aty.

Read More