Ofrohet shërbim Kantinë
Vendodhja Shko te harta
Afër Rubiku, Muzeu i Burgut të Spaçit
Transporti
Rruga për në Rrëshen lë pas autostradën Milot-Kukës (shih tabelat). Pasi të kaloni në qendër të qytetit, kërkoni të gjeni një lavazh makinash në të majtë, menjëherë pas të cilit gjendet kantina, në të djathtë të rrugës, përmes tunelit dhe në oborrin e një kompleksi ndërtesash të vjetra magazinimi gjatë komunizmit. Një tabelë e zezë jo shumë e spikatur me shënimin EUROGERS sh.p.k. tregon hyrjen.
Nëse vini me transport publik, kantina bëhet lehtë me këmbë (7 minuta) nga qendra e qytetit/stacioni i autobusëve të Rrëshenit.
Akomodimi
Aktualisht në ndërtim e sipër. Pasi të përfundojë ndërtimi do të ketë 6 dhoma dyshe dhe një suitë.
Çfarë mund të bësh
Një vizitë në kantinë, përfshirë edhe degustimin e verës. Vizitoni Muzeun e Burgut të Spaçit.
Ecje – informacioni me hartat rajonale është i disponueshëm në InfoKulla përgjatë autostradës afër Rubikut, ose online në adresën: https://hikingmirdita.com/trails-maps/.
Merr me vete
Një shishe verë Kallmet, Rezervë oseShesh i Bardhë.
Vlera e traditës në Kantinën Arbëri është e dukshme pas hapave që ka ndërmarrë familja Kaçorri, nga prodhimi i një sasie të vogël vere për nevoja personale dhe lokale, për t’u bërë një nga kantinat më të njohura të Shqipërisë. Sot, vera e tyre është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare dhe familja, e drejtuar nga i riu Rigers Kaçorri, po merret me fusha të tjera biznesi për të rritur përvojën e vizitorëve të tyre.
Kantina filloi shumë thjesht, kur gjyshi i Rigersit, i cili zotëronte shumë tokë, u përfshi në traditën historike të prodhimit të verës në malësitë katolike të Mirditës. Gjatë periudhës komuniste, vreshtat dhe prodhimi u shtetëzuan në kooperativa të mëdha. Pas vitit 1990, djali i tij Frani (babai i Rigesit), arriti të rimarrë me sukses një pjesë të tokave të të atit dhe vazhdoi traditën e prodhimit të verës në familje.
Jurist me profesion, Frani kaloi dekadën tjetër të jetës së tij duke fituar para përmes aktiviteteve të ndryshme të biznesit, duke përfshirë tregtinë dhe ndërtimin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke arritur të zgjerojë dhe modernizojë kantinën e verës nga viti 2000, deri në vitin 2002, ndërkohë që prodhonte dhe shiste verë për familjarët, fshatrat përreth dhe klientët e tjerë në atë zonë, megjithëse në sasi të vogla. Aktualisht Kantina Arbëri prodhon 120 mijë shishe verë në vit, me prodhimin në rritje të qëndrueshme për të synuar 200 mijë shishe dhe eksporton afërsisht 15% të verës së saj në Gjermani, Zvicër, Danimarkë, SHBA, Hong Kong dhe Macau.
Suksesi i viteve të fundit i takon djalit të Franit, Rigersit, i cili ka trashëguar pasionin e paraardhësve të tij për verën dhe vendosi të ndiqte biznesin e familjes, si karrierën e tij. Ai studioi gjashtë vjet universitetin në Itali, përfundoi studimet për Enologji dhe Marketing të verës në Bolonjë e Firenze, ndërkohë që interesi i tij për verën vetëm rritej. Ai vazhdoi të fitonte përvojë në Francë, Spanjë dhe pjesë të tjera të Evropës dhe është trajnuar si somelier, përpara se të merrte përsipër menaxhimin e Kantinës Arbëri në vitin 2014, duke i dhënë jetë të re biznesit.
Përveç ndërtimit të një godine të re për procesin e fermentimit, është gjithashtu në proces përfundimi i ndërtimit të një restoranti dhe një bujtine. Ideja për të shtuar aktivitetet erdhi te Rigersi, kur turistët që vizitonin kantinën e verës dhe merrnin pjesë në degustime, po tregonin interes për të qëndruar për një vakt apo edhe një natë në Rrëshen. Meqenëse infrastruktura turistike në rajonin e Mirditës ende mungon, familja Kaçorri e pa këtë si një mundësi të shkëlqyer. Me ndihmën e arkitektit të njohur lokal, z. Agim Marku, ata filluan ndërtimin e ri në shpatin e kodrës prapa kantinës.
Arkitektura e godinave që do të mbarojë së shpejti është frymëzuar nga kullat lokale, shtëpitë tradicionale të kullave të fortifikuara me mure të trasha prej guri, të cilat dikur u ofronin siguri dhe mbrojtje banorëve të tyre në Shqipërinë veriore mesjetare. Bujtina e re ngjan më shumë me këto shtëpi të fortifikuara, megjithëse me disa elemente moderne, si dritaret e mëdha, ndërsa restoranti ka mure karakteristike prej guri të trashë për të bërë vizualisht kontrast me trarët masivë prej druri dhe fasadat prej xhami. Sistemi i integruar pasiv i ftohjes dhe përdorimi i sistemit fotovoltaik në çatinë e ndërtesave janë vetëm disa shembuj të teknologjive të qëndrueshme, si pjesë e një koncepti arkitektonik të menduar mirë.
Në të gjitha anët e dy ndërtesave, familja ka mbjellë shumë hardhi rrushi në shpatin e kodrës, të cilat së shpejti do t’i shtohen prodhimit të familjes. Por, ajo çfarë është më e rëndësishmja, do të krijohet një mjedis i gjelbër për klientët e restorantit ndërsa ata do të shijojnë gatime tradicionale nga Mirdita dhe Shqipëria e Veriut, si mishi pastërma, i tharë në një kuti druri për 12 muaj me kripë, byrek i mbushur me perime të ziera, ose me arra, një pjatë kjo veçanërisht tipike në zonë për Krishtlindje dhe Pashkë.
Rigersi synon të rrisë kafshë pranë vreshtave familjare, në anën tjetër të qytetit, për të prodhuar mish të freskët dhe produkte bulmeti për vizitorët, duke përdorur hangarët e braktisur të magazinave komuniste për përpunim, ndërsa prodhimet për restorantin, do të furnizohen nga fshatarët përreth Rrëshenit. Edhe sot familja ka një lidhje të ngushtë me prodhuesit përreth, duke mbledhur rrush për prodhimin e tyre të verës dhe rakisë, nga rreth 65 familje në fshatrat Kodër-Rrëshen, Prosek, Bukmirë etj.
Përveç kësaj, familja Kaçorri zotëron disa vreshta me një sipërfaqe afërsisht 20 hektarë gjithsej, të cilat janë të shpërndara përreth zonës. Varietetet që ata kultivojnë janë ekskluzivisht shqiptare autoktone, rrushi i sheshit si në versionin e bardhë dhe të kuq, një varietet i quajtur “kallmet”, dhe rrushi “ceruja”, i cili rritet në kodrat përreth Burrelit, me të cilin Rigersi ka filluar të eksperimentojë vetëm kohët e fundit. Familja ishte një nga të parat që ka filluar ringjalljen e këtij rrushi indigjen, kur kantinat e tjera të verës më tepër janë përqendruar te varietetet e famshme ndërkombëtare.
Për vreshtat kujdeset kushëriri i Franit, Nikolla, i cili së bashku me 10 punëtorë, merret me vreshtat gjatë gjithë vitit. Përveç kësaj, familja paguan një forcë punëtore lokale prej 35 vetash, të përfshirë në përpunimin, administrimin dhe shpërndarjen e produkteve të gatshme. Verërat më të shitura për shumë kohë të Kantinës Arbëri janë Kallmet dhe
Kallmet Reservë (kjo e fundit e mbajtur në fuçi lisi për maturim), si dhe Sheshi i Bardhë. Produktet e tjera përfshijnë rakinë e rrushit, të thjeshtë ose të mbajtur në fuçi, si dhe një verë të gazuar me emrin Ardo, e cila është produkti artizanal i fermentimit me dy hapa të Sheshit të Bardhë, nga të cilat prodhohen vetëm tre deri në pesë mijë shishe në vit.
Për të mësuar më shumë rreth procesit të prodhimit, por edhe për të degustuar verërat dhe pije të tjera të ndryshme alkoolike, vizitorët mund të marrin pjesë në një degustim vere në bodrumin me tavane të harkuar me tulla. Të degustosh dhe të shijosh verën e Arbërit do të thotë të ndjekësh gjurmët e figurave të shumta të shquara, duke përfshirë politikanë dhe zyrtarë, trupa diplomatikë, njerëz të famshëm dhe ndoshta më të shquarin, Papa Françeskun, i cili bëri një vizitë në Shqipëri në vitin 2014 dhe iu dha si dhuratë një prej verërave të Kantinës Arbëri.
Kjo tregon se besimi i Rigersit është i vërtetë, se vera është një nga të paktat gjëra që me të vërtetë janë universale, pa marrë parasysh besimet fetare, statusin shoqëror ose origjinën e një personi. Edhe pse çdo familje ka historinë dhe traditën e tij në bërjen e verës, e gjitha është pjesë e një kulture më shumë se 200- vjeçare, traditë që familja do ta vazhdojë.