Agroturizëm Paja

Informacion

Agroturizëm Paja shtrihet midis Liqenit të Seferanit dhe aksit rrugor Belsh-Kuçovë, në të cilin ofrohen një kompleks shërbimesh. Historia e “Agroturizëm Paja” ka filluar pas vitit 2004, pas një experience 11-vjeçare në fushën e turizmit, në shtetin fqinj, Greqi. Gjithçka filloi me prodhimin dhe përpunimin e rrushit për nxjerrjen e nënprodukteve si: verën, rakinë, reçelin, uthullën dhe komposton. Pas kësaj, aktiviteti u shtri me mbjelljen e ullinjve dhe ndërtimin e fabrikës së përpunimit për nxjerrjen e vajit të ullirit. Gjithashtu, aktiviteti u zgjerua me rritjen e zogjve të fshatit (kalastrej), kultivimin e peshkut, prodhime bujqësore dhe blegtorale. Të gjitha këto produkte serviren në restorantin e fermës, me gatime tradicionale të ndryshme të zogut të fshatit, ku përmendim misnikun, gatime të ndryshme të peshkut si p.sh., në tavë, mjaft e preferuar nga klientët, të shoqëruara me verë dhe raki, si dhe bukë të gatuar në mënyrë tradicionale. Në Liqenin e Seferanit kultivohet peshku si: krapi, omuri, ballgjeri, laroku, qefulli e pllëmbëza, të cilat janë shumë të kërkuara nga konsumatorët. Sigurisht, pas një dreke të këndshme nuk mungon atmosfera me këngë e valle të zonës, sporte ujore, lundrimi me varkë, peshkimi e noti. Për vizitorët e huaj ofrohen kushte për kamping.

Read More