Ky aktivitet përfshin hotelin, me kapacitet 13 dhoma gjumi dhe 3 suita, restorantin, barin, pishinën dhe stallën me kuaj, lepuj, pallonj, fazanë, pëllumba, viça, dhi, dele e shumë shpendë. Pranë stallës ndodhet një rezervuar, në të cilën turistët dhe vizitorët vendas mund të bëjnë xhiro me kanoe. Natyra ju fal një qetësi shpirtërore që vetëm ata që vijnë e shohin, e kuptojnë se për çfarë ndjesie bëhet fjalë. Ferma ndodhet në rrethin e Kavajës, në një fshat kodrinor, Ballaj, i cili ndodhet 4 km larg plazhit të fshatit Vilë Bashtovë, në të cilin ndodhet një ndër të paktat kala fushore në Shqipëri. Në restorant përdoren produktet e fermës, për shembull, nga qumështi i lopëve bëjnë djathin dhe nënprodukte të tjera, gatime me mishin e kafshëve që mbarështojnë, si dhe gatime me perimet e fermës së tyre. Vezët i përdorin për ëmbëlsira, për mëngjese plot shije dhe proteina. Nga mielli i grurit dhe i misrit të mbjellë në fermë bëjnë bukën, makaronat dhe ëmbëlsirat.