Agroturizëm Popi

Vendodhja
Shko te harta

Afër
Gjiri Lalëzit

Informacion

Agroturizmi Restorant Popi, fillimisht ishte një tokë e pazbuluar midis kodrave, pa rrugë, veçse pyje të dendura. Zoti POPI hapi rrugën, për të patur një fermë me koncept ndryshe nga sa kemi në vendin tonë. Çdo gjë në fermë duke nisur nga liqeni, hapësira dedikuar blegtorisë, bujqësisë, u krijuan nga dora e njeriut që bëri të mundur krijimin e një mrekullie te tillë, e diti t’i shtonte vlera natyrës pa e dëmtuar atë. Në fermë blegtoria dhe bujqësia luajnë një rol të rëndësishëm në atë çfarë i ofrohet klientit. Çdo produkt që serviret është organik dhe i trajtuar për të qenë në parametrat e duhur ushqimor. Ushqimi që shërbehet është tradicional i vendit tonë. Perimet e frutat janë të rritura në fermë, por bashkëpunojnë dhe me banorët e zonës, duke siguruar më tepër produkte, si dhe duke i ndihmuar ata ekonomikisht. Blegtoria rritet në pyje, mishi i freskët si : keci, qingji, viçi, gici i butë e gici i egër, por edhe zogjtë e fshatit, patat, rosat, lepujt etj., janë gjithmonë ajo çfarë i karakterizon si agroturizëm, me produkte të kontrolluara dhe cilësore. Si veprimtari argëtuese në fermë mund të përmendim, shëtitjen dhe vizitën në zonën e blegtorisë së fermës, për të parë lloje të ndryshme të kafshëve e shpendëve që gjenden aty, hipizmin, shëtitjet nëpër pyje, lundrimin me varkë në liqen dhe mundësinë për t’u kredhur në ujin e liqenit, pasi eshte i pastër (këtë mund ta vërtetoni menjëherë sapo të mbushni një gotë ujë). Disa kilometra larg fermës, në zonën e Kepit të Rodonit, gjendet Kalaja e Skënderbeut dhe filiali i Kishës së Shën Ndoit, të cilat janë dëshmi e historisë dhe atraksione turistike mjaft të preferuara nga turistët. Ndjesia që të fal natyra dhe shija e ushqimeve që do t’ju serviren, do të jetë e paharruar dhe një zgjedhje e përhershme.

Read More