PËRSHKRIMI:

Nisni një udhëtim të jashtëzakonshëm përmes trashëgimisë së pasur të Shqipërisë së jugut, një përzierje harmonike e mrekullive gastronomike, valleve, këngëve, traditave dhe lidhjeve të vërteta me komunitetin lokal. Ndërsa kaloni përmes Korçës, Kolonjës, Përmetit, Këlcyrës, Gjirokastrës dhe Tepelenës, çdo ditë dhe çdo destinacion zbulon kapituj të rinj të një folklori të pasur përmes tureve edukative, performancave folklorike dhe përvojave të vërteta me banorët lokalë.

Ky tur mund të zhvillohet privatisht ose ju mund të zgjidhni ta përshkoni me paketë të dedikuar turistike duke kontaktuar operatorët turistike më poshtë.

 

Udhëtimi nis në zemër të Korçës, me eksplorimin e pazarit të vjetër dhe një ndalesë të veçantë në furrën tradicionale të zotit Anesti Duka, ku buka me qiqra mbart shijen e kohëve të vjetra. Më tej, zbulohet trashëgimia kulturore në galerinë etnografike të mjeshtres Lirika Pojani dhe punishtet artizanale të zonës.

Mbrëmja vijon me darkë dhe valle tradicionale tek Agroturizëm Shtëpia e Kuajve, ku nën drejtimin e koreografit Bardhi Pojani, muzika dhe kërcimet popullore sjellin atmosferën e dikurshme.

Dita tjetër fillon me mëngjes në fermë dhe përfshirje në punë tradicionale: punim me tezgjah me zonjën Fili apo qëndisje me zonjën Rovena. Pason një shëtitje me kuaj rreth fshatit, me ndalesa tek teqeja, lumi dhe ferma e mjaltit e zonjës Zana.

Udhëtimi vazhdon në Polenë, për të përjetuar jetën fshatare nga afër, dhe më pas tek Agroturizëm Xhufka, ku përvoja “nga ferma në tavolinë” shndërrohet në kënaqësi kulinare. Në mbrëmje, vizitori merr pjesë në një klasë gatimi të lakrorit tradicional në Vila Melko & Farm.

Mëngjesi i fundit përfshin vizitë në fermën Melko dhe më pas në Boboshticë, për të zbuluar mjeshtërinë e prodhimit të rakisë. Udhëtimi mbyllet me një ndalesë të fundit në fermat e bulmetit të zonës, një përshëndetje me shije nga Korça rurale.

Udhëtimi vazhdon drejt jugut, në zemër të Kolonjës, ku mikpritja merr formë tek Sofra Kolonjare, në Ersekë. Aty, kemi një përvojë të veçantë: tundja e dybekut në mënyrën tradicionale, mes këngëve popullore dhe aromës së gjalpit të freskët. Atmosfera plot jetë vazhdon me përgatitjen e zahireve, si dikur, kur puna dhe kënga shkonin krah për krah.

Pas kësaj eksperience autentike, udhëtimi vijon me një vizitë në fshatin piktoresk të Rehovës, një vend i pasur në histori, trashëgimi dhe arkitekturë karakteristike. Më pas, bëhet një ndalesë e shkurtër në Muzeun Etnografik të Kolonjës, ku ruhen kujtimet dhe identiteti i zonës.

Në mbrëmje, mysafirët rikthehen në Sofra Kolonjare, për një darkë të ngrohtë dhe akomodim komod. Dita tjetër nis me një ecje të qetë drejt liqenit të fermës, për të shijuar natyrën e pastër e të kthjellët, e më pas me një mëngjes të pasur tradicional, një përfundim për këtë kapitull të udhëtimit në Kolonjë.

Udhëtimi vijon drejt malësive, me ndalesën e radhës tek Farma Sotira, Pas një qëndrimi të shkurtër, udha i çon drejt fshatit Hoseckë dhe më pas, në një ecje të qetë përmes fushave, drejt fshatit Radanjë.

Aty, një surprizë natyrore i pret, liqeni sekret, i fshehur mes gjelbërimit dhe i rrethuar nga qetësia absolute. Më tej, mund të zgjidhet një vizitë në stallën në mal, ose një ndalesë më intime tek banorët e Radanjit, për të ndarë histori, tradita dhe për të kuptuar më mirë jetën lokale.

Në mbrëmje, atmosfera ngrohet nën tingujt e fuqishëm dhe melankolikë të grupit legjendar “Sazet e Leskovikut”, një ansambël me histori mbi 200-vjeçare që e kthen darkën në një përjetim folklorik të paharrueshëm. Pas kësaj nate plot emocione, qëndrimi në fermë ofron qetësinë e duhur për pushim.

Dita përmbyllet me  mëngjesin dhe nisjen për në Përmet, me një ndalesë të shkurtër në Leskovik, për të shijuar atmosferën e qytetit dhe për të mbyllur me finesë këtë kapitull të udhëtimit në Juglindje.

Në Përmet, udhëtimi merr shije të re me një përvojë kulinare në restorantin Nemërçka, shoqëruar nga një performancë folklorike që sjell gjallëri dhe traditë në çdo notë. Më pas, vizitori përfshihet në një eksperiencë autentike slow-food, ku gatimi ngadalësohet për të nxjerrë në pah shijet e pastra të vendit.

Eksplorimi vijon tek Di Pro Bio dhe Shtëpia e Mjaltit e zotit Kastriot, ku kuptohet më thellë lidhja mes natyrës dhe prodhimeve vendase. Në dyqanin e zonjës Flora Sali, vizitori shijon mjaltin e rrallë të bedunices, të njohur me certifikimet GI dhe STG.

Më pas, ndalesa zhvendoset në Ballaban, tek ferma Grand Albanik. Aty prezantohet historia e fermës dhe zhvillohet një klasë gatimi që përmbyllet me shijimin e produkteve të freskëta. Mëngjesi i fundit në këtë itinerar shërbehet po aty, në fermë, i thjeshtë, tradicional dhe plot shije.

 


Në Këlcyrë, vizita nis në punishten artizanale të djathit të zotit Altin Meshini, të ndërtuar brenda një bunkeri të kohës së komunizmit – një kombinim i veçantë mes historisë dhe traditës. Më pas, në Agroturizëm The Barrels – Te Fuçitë, shijohet një drekë tradicionale dhe bëhet një tur i shkurtër i fermës.

Udhëtimi vijon me vizitë në kishën bizantine të Shën Marisë në Labovën e Kryqit, për të përfunduar ditën me darkë, akomodim, klasë gatimi dhe fotografi me veshje tradicionale në Bujtinën Maria.

Të nesërmen, pas një mëngjesi të qetë, bëhet një tur në Libohovë dhe më pas vizitë në Pazarin e Vjetër të Gjirokastrës për të takuar artizanët vendas. Në vijim, vizitorët ndalojnë në Muzeun Etnografik dhe marrin pjesë në një klasë të iso-polifonisë me mjeshtrin Roland Çenko. Mbrëmja përmbyllet me darkë në Agroturizëm Lord Byron ku ofrohet dhe një klasë gatimi sipas dëshirës.

Mëngjesi dhe përfshirja në një tur edukativ lidhur me prodhimet lokale si dhe kostumet tradicionale.

Mëso më shumë për disa nga elementët e turit të folklorit:
Lloji i Turit:
Kulinari & Kulturë
Kategoria:
Agroturizëm
Periudha:
Gjithë Vitin